Ndonjëherë emri i babait të penalizon kur ka qenë futbollist i madh sepse të krahasojnë gjithmonë me atë. Gjë që e kanë vuajtur shumë herë djemtë e sportistëve, shqiptarë dhe të huaj. Por ndonjëherë të penalizon edhe fakti që babai mund të jetë gjithmonë kritik dhe jashtë turmës, siç ndodh me rastin e Rocco Vatës që shkëlqen me ekipin e Sëlltikut B dhe ka debutuar me ekipin e parë, por nuk ka marrë kurrë një ftesë nga moshat kuqezi.

Vetë Rudi Vata kohë më parë është shprehur se djali i tij nuk është ftuar kurrë në ekipet zinxhirë të Kombëtares shqiptare. Dihet prej kohësh që ishkapiteni i Kombëtares shqiptare ka mbajtur një qëndrim kritik sa i përket menaxhimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, madje në 2010- ën Rudi ka kandiduar përballë Armand Dukës për postin e presidentit të FSHF-së.

SHIFRAT E SHKËLQYERA TË ROCCO VATËS – Talenti Roko vazhdon të shkëlqejë te skuadra B e Sëlltikut, teksa së fundmi është shndërruar në një bomber të vërtetë. 17-vjeçari ka një të ardhme të sigurt përpara, teksa vetëm 10 minuta i kanë mjaftuar për të realizuar dopietë në duelin e së martës në mbrëmje ndaj Uolves U-23 e vlefshme për “Premier League International Cup”.

Sëlltiku triumfoi me rezultatin 4-2, teksa Roko Vata ishte një nga më të dalluarit në fushë me dy golat e tij. Ai luan në rolin e mesfushorit me tipare sulmuese dhe deri tani ka shënuar 11 gola në 24 ndeshje. Një shifër e lartë golash edhe për faktin se roli i tij nuk është një sulmues i mirëfilltë. Roko gjithashtu ka debutuar me ekipin e parë të Sëlltikut.

ASNJË FTESË NGA SHQIPËRIA – Duke veshur fanellën e kombëtares së moshave të Irlandës, shumë njerëz pyesin se përse nuk e sjell djalin e tij Rudi Vata që të luajë me Shqipërinë sepse është shqiptar dhe ka qenë edhe kapiten i Kombëtares. Por si mund të vishet kuqezi Rocco Vata kur nuk ka marrë asnjëherë ftesë, sepse nuk mund ta lërë te dera e federatës apo stadiumit dhe të thotë merreni. Nuk funksionon kështu, asnjë lojtar nuk mund të vijë kurrë pa dërguar një ftesë drejt tij. Ka shumë talente shqiptare që do të donin të vinin te moshat kuqezi, por kur nuk marrin një ftesë, atëherë si mund të vijnë!