Atleti shkodran Gëzim Dimnaku ka bërë një tjetër paraqitje të shkëlqyer në aktivitetin e rradhës për veteranët (kategoria Master) duke u renditur i dyti në kontinentin amerikan.

Në garat e zhvilluar ditën e djeshme, pikërisht në disiplinën e pentathlonit (pesëgarësh), ai është renditur i dyti duke marrë medaljen e argjendtë.

Në vend të parë dhe medaljen e artë e ka merituar atleti i njohur i SHBA-së James Latimore, ish- kampion i Botës në shumëgarësh.Duhet thënë se rezultati i Dimnakut ka qenë shumë i mirë teksa ka grumbilluar 2808 pikë gjithsej, pra plot 300 pikë më shumë se në kampionatin e Kanadasë që u zhvillua para pak kohësh, duke vendosur kështu një rekord të ri për këtë vend.

Rekordi i mëparshëm me 2515 pikë është mbajtur po prej tij dhe ishte vendosur në kampionatin kombëtar të Kanadasë që u zhvillua në Montreal dhe ku Dimnaku mori 5 medalje ari.

Por lajmet e mira për këtë sportist veteran nuk ndalen këtu. Pas përfundimit të kësaj gare, Federata Botërore e Atletikës ka bërë renditjen e re të garës së pesëgarëshit dhe në të rezulton se Gëzim Dimnaku me 2808 pikë është në vendin e parë duke qenë aktualisht më i mirë në botë.
© shkodrasport.com