Pas përvojës me disa ekipe të vendit të tij, por edhe me ekipet komëbëtare, ashtu si dhe një përvoje të shkurtër në Greqi, Mirsad Jonuz nga sot zyrtarisht ka nisur një aventurë të re në krye të Vllaznisë.

Ai ka firmosur një kontratë njëvjeçare me Vllazninë me opsioni rinovimi në rast të arritjes së objektivit dhe më pas, ka thënë edhe disa fjalë për faqen zyrtare të klubit.

– z. Jonuz, cila është arsyeja që zgjodhët Vllazninë për ta drejtuar?

– Futbollin shqiptar e përcjell prej shumë vitesh dhe kuptohet që kisha njohuri edhe për Vllazninë si një ekip që kishte fituar disa tituj kampionë e Kupa të Shqipërisë dhe njëkohëisht ka marrë pjesë rregullisht edhe në Kupat e Europës. Vitin e kaluar kam punuar në Greqi dhe ndërkohë kohët e fundit pata një kontakt me drejtuesit e Vllaznisë. Që në fillim më pëlqeu gjithçka, kontaktet ishin pozitive, kemi biseduar gjatë këto ditë dhe në fund vendosa të bashkëpunoj me të. Idetë tona u përputhën dhe shoh që klubi është ambicioz në objektivat e tij.

-A e njihni skuadrën, a keni dijeni për përbërjen e saj?

-Jo shumë por kam filluar të krijoj një ide për lojtarët. Kam parë disa video gjatë këtyre ditëve dhe do të shoh edhe të tjera në vijim dhe besoj se për 3-4 ditë do të kem një ide më të qartë për skuadrën.

– Me çfarë objektivash vjen z. Jonuz për të drejtuar Vllazninë?

– Di që Shkodra ka lojtarë shumë të talentuar, ka një publik të mrekullueshëm dhe po ashtu, është një gjë e mirë që ekipi për një sezon u rikthye sërish në Superligë. Objektivi padyshim që do të jetë ndërtimi i një ekipi të mirë, për të kërkuar fitoren në çdo ndeshje. Ne do t’i respektojmë të gjithë kundërshtarët por do të punojmë njëkohësisht për të krijuar një ekip më të mirë se të tjerët sepse për këtë kam ardhur tek Vllaznia.

-Jeni një trajner me shumë përvojë teksa keni drejtuar edhe kombëtaren e Maqedonisë. Cili do të jetë prioriteti i punës tek Vllaznia?

– Do të respektoj të gjithë lojtarët që kanë aktualisht pjesë e skuadrës, më pas bashkë me drejtorin sportiv do të shohim për ta plotësuar atë me lojtarët e duhur. Pas disa ditësh stërvitje, do të kemi krijuar një ide më të qartë për nivelin e secilit lojtar. Duhet të nxitojmë sepse nuk kemi shumë kohë në dispozicion, kampionati është në prag dhe prandaj duhet të bëjmë më të mirën. Mendimi im është të bëjmë një skuadër të mirë.

-Kur do të fillojë stërvitja dhe a do të kërkoni lojtarë të tjerë në merkato?

– Besoj se të hënën ose të martën ekipi do të jetë në stërvitje dhe më pas do të shohim edhe për lojtarët që na duhen. Së fundi, dua të përshëndes të gjithë fansat e Vllaznisë dhe do të jap maksimumin tim që ai të rikthehet pranë ekipit për ta mbështetur atë. Me ndihmën e tyre por edhe të Bashkisë, besoj se do ia dalim të ndërtojmë Vllazninë që duan të gjithë.
© shkodrasport.com