Olimpiakos arriti një fitore shumë të rëndësishme ditën e djeshme në Superligën greke kundër AEK në shifrat 3-1. Skuadra bardhekuqe arriti të triumfonte përballë vendit të dytë në renditje dhe një prej ekipeve më të mira në vendin fqinj.

E në këtë mënyrë duke mbyllur hendekun me kryesuesit e Panathinakos në vetëm 5 pikë, ku kundërshatarët e përjetshëm të Olimpiakos kryesojnë aktualisht kampionatin grek.

Një prej protagonistëve të këtij takimi ishte edhe Andreas Ndoj. Djaloshi me origjinë nga Shkodra, por i rritur dhe i zhvilluar në akademinë e Olimpiakos këtë sezon po shkëlqen me fanellën bardhekuqe.

Në moshën 20-vjeçare, Ndoj tashmë është një titullar fiks i një skuadre që merr pjesë thuajse çdo sezon në grupet e Champions League apo Europa League.

Edhe dje kundër AEK, në rolin e mbrojtësit të qendrës ku Ndoji spikat me forcën dhe shtatlartësinë e tij prej 1.90 cm ishte ndër më të dalluarit në fushë. Madje duke qëndruar deri në fund të takimit në lojë e duke mos marrë një zëvendësim qoftë edhe për të vonuar minutat në fundin e ndeshjes. Përballë ishte AEK, ku skuadra verdhezi kishte sulmin më të mirë të kampionatit me 50 gola të shënuar.

Pra një kundërshtar me të vërtetë me një potencial të fortë sulmues që u përballua siç duhet nga shkodrani. Për Ndojin ka pasur një luftë të madhe edhe mes federatës së futbollit në Shqipëri dhe asaj në Greqi për të zgjedhur skuadrën përfaqësuese të 20-vjeçarit.

Momentalisht nuk duket se ka ende një vendim përfundimtar përsa i përket kësaj çështjeje, por Ndoji me performanca të tilla duket se do ketë një të ardhme me të vërtetë të ndritur në futboll.
Endri ÇINARI