Trajner I ri, pretendime të reja. Kështu mund të etiketohet ecuria e ekipit të basketbollit të femrave të Vllaznisë në sezonin e ri. Në ndryshim nga ekipi I meshkujve që e ka nisur sezonin me shumë probleme, ai I femrave I ka bërë një start të shkëlqyer kampionatit të ri.

Nën drejtimin e trajnerit Bledar Gjeçaj gjërat duket se kanë ndryshuar për mirë. Ai ka bërë një alternim shumë të mirë të vajzave që kanë qenë pjesë e skuadrës, bashkë me disa të tjera të ardhura nga ekipi I të rejave.

Dhe në ndeshjen e parë të kampionatit, ato arritën të fitojnë ndaj Studentit në Shkodër. Për shumëkënd mund të ishte një fitore surprizë por jo për stafin teknik. Për këtë arsye, puna vijoi me një tjetër fitore të arritur më pas edhe në Elbasan në javën e dytë dhe në këtë mënyrë, Vllaznia pas dy javësh kampionat kryeson renditjen bashkë me Tiranën.

Kjo nuk do të thotë se basketbollistet shkodrane do të luftojnë për të fituar titullin kampion sepse kjo është diçka shumë e vështirë dhe mbase e pamundur, por për të qenë në katërshen e ekipeve më të mira të vendit. Ky është edhe objektivi real I tyre.

Prandaj dhe fitoret ndaj Studentit dhe Elbasanit marrin më shumë vlerë sepse janë rivalet kryesore të tyre. Vllaznia e sivjetme duket disi më ndryshe nga mënyra si luan dhe nga përkushtimi I vajzave.

Trajneri Gjeçaj është munduar të injektojë diçka ndryshe tek to dhe deri më tani ia ka dalë megjithatë duhet parë ecuria e tyre në javët e ardhshme.
www.shkodrasport.com