Ndeshja e rradhës me Flamurtarin po afron dhe tashmë në kampin shkodran po i japin dorën e fundit përgatitjeve për të. Kjo është një sfidë e cila duhet fituar patjetër sepse ndryshe pozitat për Vllazninë në renditje do të rëndoheshin edhe më shumë. Por padyshim që nuk do të jetë e lehtë sepse vlonjatët po bëjnë një paraqitje shumë të mirë në këtë kampionat.

Trajneri Cungu ka disa dilema për ndërtimin e formacionit për këtë ndeshje. Dilemat kryesisht ekzistojnë për aktivizimin apo jo të Vucajt nga minuta e para në mesfushë dhe po ashtu edhe për atë se cilin futbollist duhet të vendosë në krahun e majtë të mesfushës. Ai i ka provuar të tre deri më tani, si Krujën, ashtu edhe Çinarin dhe Kalajen por asnjëri prej tyre nuk ka bindur plotësisht dhe për rrjedhojë ka patur rotacion. Të tjerët ndërkohë kanë qenë stabël në formacion dhe kështu pritet të jetë edhe për sfidën e rradhës. Me Flamurtarin duhet patjetër fitorja dhe ata që do të jenë në fushë duhet të japin maksimumin për t’ia arritur kësaj.

© shkodrasport.com