Në stadiumin “Loro Boriçi” prej pak ditësh ka nisur shtrimi i tartanit. Procesi ka nisur dhe po ecën mirë. Firma që ka fituar tenderin për kryerjen e këtij procesi, është ndihmuar edhe nga koha e mirë që ka mbajtur gjatë këtyre ditëve dhe mendon që ta mbyll shpejt shtrimin e plotë të tartanit.

Plani ka qenë që gjithçka të mbyllet brenda 10 ditësh megjithatë për momentin punimet do të ndërpriten për shkak të dy ndeshjeve që do të luajnë në të, kombëtarja shqiptare dhe ajo kosovare. Por zhvillimi i këtyre ndeshjeve ka nxituar firmën që gjatë ditës së sotme të nisë shtrimin e shtresës së dytë të tartanit, asaj me ngjyrë vishnje që do t’i japë edhe një pamje të bukur këtij impianti sportiv sidomos për ndeshjen e shumëpritur të datës 9 tetor ndaj Italisë.  Me shtrimin e tij, “Loro Boriçi” merr përmasat e një stadiumi olimpik dhe kjo do të thotë se tani e tutje në të mund të zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme ndërkombëtare. Me shumë mundësi, Federata Shqiptare e Atletikës, Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia do të planifikojnë diçka të tillë për vitin e ardhshëm duke ditur që ky qytet e ka traditë sportin e atletikës. Me kryerjen e procesit të shtrimit të pistës, përfundon edhe investimi i plotë që Federata Shqiptare e Futbollit dhe Qeveria shqiptare kanë planifikuar për këtë stadium ndërkohë që më pas, do të bëhet edhe procesi i dorëzimit të tij tek Bashkia Shkodër si pronarja e vetëm e tij. Por pyetja që lind dhe që diskutohet prej kohësh, është ajo e palestrave poshtë shkallëve të stadiumit për të cilat askush nuk përgjigjet dhe me shumë siguri, nuk do të ketë një tjetër investim nga dy institucionet që e ndërtuan këtë impiant sportiv.

© shkodrasport.com