Kukësi ndodhet në një moment kritik në kampionat, pasi në 360 minuta varet mbijetesa. Diçka që nuk mendohej as nga më kritiku në kampin verilindor, duke parë investimet dhe synimet me të cilat hyri në kampionat këtë sezon.

Shtatë ndeshjet pa fitore kanë rënduar jo pak skuadrën, e cila duhet të bëjë një sforco në javët e fundit për të marrë maksimumin dhe mos bjerë një kategori më poshtë. Nisja e dobët dhe më pas luhatjet në rezultate e sollën skuadrën deri në këtë gjendje, e cila prej disa javësh ndodhet në zonën e “play out”-it, çka i jep mundësinë të luajë ndeshjen shtesë me një ekip të Kategorisë së Parë. Megjithatë, edhe pse me një ecuri të dobët pikërisht në pikën më kulmore të kampionatit, blutë janë ende në garë për të shpëtuar sezonin, i cili, gjithsesi do të ishte i dështuar.

Për fat të mirë, verilindorët i kanë fatet të gjitha në dorën e tyre dhe nuk janë të varur nga kundërshtarët e tjerë. Nëse Kukësi fiton ndeshjet e mbetura, ku dy prej të cilave i ka me rivalë direktë, atëherë në fund të sezonit do të kenë mbijetuar dhe mund të marrin frymë lirisht. Është pikërisht ky fakt që e ngroh për momentin ekipin e drejtuar nga Rraman Hallaçi, i cili ka marrë përsipër detyrën për t’i siguruar skuadrës mbijetesën.

MANOVRAT – Duke qenë se Kukësi nuk ka funksionuar javët e fundit, Hallaçi është munduar që të bëjë vazhdimisht lëvizje në formacion, me shpresën që do të rikthehet te fitoret. Madje, në ndeshjen e fundit me Partizanin, për herë të parë luajtën bashkë si titullarë dy sulmuesit, Rashiti dhe Barbosa. Por, as kjo lëvizje nuk dha efektet e duhura, sepse skuadra doli pa pikë nga kryeqyteti.

Edhe në takimet e tjera paraardhëse tekniku ka lënë në stol disa prej titullarëve, që deri para pak javësh shiheshin si të paprekshëm, si Sh. Taipi, Basha, Ovusu apo edhe portieri Tafas, por edhe këto lëvizje nuk kanë pasur sukses. Ndaj Laçit mbetet për t’u parë strategjia që do të përdorë tekniku dhe titullarëve që do t’u besojë këto 90 minuta të rëndësishme, në një kohë që kërkohet patjetër fitorja.

PROBLEMET – Skuadra duket se vuan nga të gjitha anët dhe problemet nuk janë të pakta. Nga njëra anë vijojnë të hasin vështirësi sa u përket shënimit të golave, me sulmuesit që po kalojnë një formë të dobët, teksa edhe goli ndaj Partizanit erdhi me anë të një 11-metërshi. Ndërkohë, bilanc i mirë nuk është edhe sa i përket prapavijës, sepse Kukësi vijon të pësojë dhe skuadra nuk e ka më garancinë prapa. Probleme që nëse Hallaçi do t’ia dalë t’i zgjidhë përpara sfidës me Laçin dhe në katër javët e mbetura në tërësi, atëherë edhe shanset për mbijetesë do të jenë më të mëdha.