Jeton Beqiri është zyrtarisht një trajner i lirë. Ballshiotët kanë njoftuar për ndërprerjen e bashkëpunimit përmes rrjeteve sociale, ku tregojnë se palët janë ndarë me shtrëngim duarsh.

Më tej thuhet se oferta e ardhur nga Arabia në drejtim të Beqirit është arsyeja pse vjen kjo ndarje e parakohshme, disa ditë para fillimit të Superiores.

Në anën tjetër dhe Jeton Beqiri ka folur për këtë ndarje, duke shprehur mirënjohje, ndërsa thotë se momente të tilla ndodhin në futboll. Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë nga klubi i Bylisit.

Postimi i plotë i Bylisit:

Faleminderit Jeton Beqiri!

Çdo fillim e ka një fund, e rëndësishme është që ndahemi si kampionë dhe me shtrëngim duarsh, pas më shumë se një viti, ashtu siç edhe kur e nisëm bashkëpunimin dhe kryetrajneri e ngjiti skuadrën nga Kategoria e Parë në Superiore, si kampionë!

Ka qenë një ndarje me mirëkuptim nga të dy palët, pasi oferta nga Arabia e cila kishte mbërritur në adresën e trajnerit, tashmë u konkretizua dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë shumë suksese, ta falënderojmë dhe t’i jemi mirënjohës si klub dhe qytet për atë që bëri për skuadrën tonë!

Faleminderit kampioni Jeton Beqiri! #forcabylis

Ndërsa trajneri Jeton Beqiri nuk i kursen elozhet dhe falënderimet për presidencën, kolegët në staf, lojtarët, tifozët dhe qytetin e Ballshit: “Mbase është një ndarje e parakohshme, por unë dua që të falënderoj klubin, në veçanti presidentin Besnik Kapllanaj, që është mik i imi dhe mbetet i tillë, por edhe familjen e tij që bën shumë për futbollin në këtë qytet. Dua t’u shpreh mirënjohje edhe lojtarëve që kam punuar vjet, por edhe sivjet, padyshim edhe tifozët që më kanë shoqëruar në këtë periudhë 1-vjeçare të mrekullueshme si trajner. Ne luftuam dhe fituam së bashku. Këto ngjyra janë dhe do të qëndrojnë përgjithmonë në zemrën time, sepse ku ka më mirë se kur realizon synimet me sukses. Por, në futboll ndodhin këto, e rëndësishme është që largohemi me dorën në qafë dhe tashmë unë jam drejt vijimit të karrierës në Arabi. Do të jem në ndihmë të Bylisit deri në fundjavë dhe shpresoj që skuadra të shkojë sa më lartë duke vijuar me sukses projektin e nisur…Do të jetë një mirupafshim dhe jo një lamtumirë…”, – ka qenë ky prononcimi i trajnerit të Bylisit Jeton Beqiri.