Shamrok Rovers ishte dje në një nga mbrëmjet më të mira, ndërsa fitoi 3 me 1 ndaj Egnatias. Sfida e parë në turin e tretë të Ligës së Europës i pa irlandezët të krijonin 25 raste për shënim.
Trajneri Stephen Bradley i Shamrokut ka peng që nuk u shënuan gola të tjerë, pasi sipas tij mund të ishte rezultat më i thellë. Po ashtu tregon se problemi i Egnatias ishin ndryshimet në formacion.
“Golat? Kjo është pjesa zhgënjyese. Paraqitja jonë ishte e shkëlqyer, ndoshta mund të kishim shënuar katër, pesë ose gjashtë gola. Dhe nuk ishin raste të vështira.
E dimë që duhet të shënojmë më shumë. Duket sikur po ankohem, por ne ishim të shkëlqyer dhe krijuam disa raste shumë të mira për të ‘vrarë’ këtë tur.
Lojtarët e dinë se kjo ishte një paraqitje e madhe. Fituam me dy gola diferencë, por mund të kishim fituar me katër ose pesë gola.
Por e dimë që do të duhet ta bëjmë edhe atje. Ata nuk do të na lejojnë të luajmë në atë mënyrë, do të kenë vrullin e tyre në ndeshje dhe do të krijojnë momente.
Kështu që e dimë se duhet të shkojmë atje dhe të kërkojmë sërish fitoren.
Ata erdhën këtu me një plan tjetër loje. Ata ishin pa katër ose pesë titullarë të rëndësishëm dhe kjo e prishi ekuilibrin e ekipit të tyre.
Dhe nëse shikoni ndeshjen ndaj Araratit në raundin e kaluar, ne duhet të kishim shënuar nga një goditje këndi, kur Piko goditi me kokë.
Ne jemi një kërcënim i vërtetë për ta. Nëse topi vjen në vendin e duhur, gjithçka varet nga koha e ndërhyrjes sonë dhe sonte(dje) e bëmë këtë siç duhet”, u shpreh trajneri i Shamrokut.
Kampionët e Shqipërisë ishin me fat. Në stadiumin “Arena Egnatia” do e kenë në dorë kualifikimin, duke qenë se Shamrok njihet për dobësinë që shfaq në transferta.


