Pas afro dy dekadash , Erzeni është rikthyer në Kategorinë Superiore . Ekipi shijakas do të garojë mes më të mirëve në futbollin shqiptar si nënkampione e Kategorisë së Parë sezonin e kaluar . Një projekt serioz dhe me ambicie për të ardhmen.

Në këtë formë kanë menduar të surprizojnë drejtuesit e Erzenit këtë edicion në Superligë. Pavarësisht ndryshimeve të shumta nga viti I kaluar , Erzeni pritet të jetë konkurrues përballë 9 klubeve të tjera në Superligën Shqiptare.

Ndryshimet filluan që nga timonieri i ri i skuadrës kur në krye u vendos legjenda e portës durrsake Xhevahir Kapllani. Një emër i njohur dhe për futbollin shqiptar, pasi ka mbajtur veshur fanella të ndryshme të klubeve më në zë në histori ndërsa me Erzenin ka luajtur në 50 ndeshje në vitet 2001-2002.

Fjalëpak i përkushtuar në punën e tij, trajneri Xhevahir Kapllani e ka të qartë detyrën e tij. Ai nuk jep premtime por siguron vetëm diçka, se djemtë do të luajnë me zemër për të qenë surpriza e këtij edicioni.

“Nuk duhet të qajmë kohën e humbur, duhet të shohim të ardhmen. I premtojmë që do japim dhe do nxjerrim gjithçka nga vetja. Do mundohemi të bëjmë të pamundurën për të arritur ato dëshira dhe atë që e kërkon futbolli shijakas. Kërkojmë shumë të na përkrahin. Edhe në momente të vështira të na përkrahin sepse ne do të dijmë t’ja dalim dhe do dijmë që të luajmë jo vetëm për vete, por të luajmë për tifozët”, tha Xhevahir Kapllani.