Ekipi i çiklizmit të Vllaznisë vijon në rrugën e duhur të rezultateve pozitive, teksa çiklistët e saj Bruno Kola dhe Servet Kastrati kanë zënë vendin e parë në dy disiplina.

Për trajnerin e çiklizmit të Vllaznisë, Leonat Kola, ky sukses është për t’u vlerësuar, sepse vjen pas një momenti kur çiklistët shkodranë kanë kaluar disa probleme shëndetësore. Megjithatë, nuk është diçka që të bën çudi, pasi siç thotë edhe ai vetë, çiklizmi është një sport tradite në Shkodër.

“Sadisfaksion është edhe çiklizmi, pasi është sport tradite në Shkodër. Eshtë qyteti i biçikletave, qyteti i çiklizmit, ku ka lindur çiklizmi. Ne kemi edhe një eveniment të jashtëzakonshëm, që krenohemi në Europë dhe në botë. Në Shqipëri është zhvilluar turi i parë për amatorë në Europë. Eshtë diçka krenare si Shkodër dhe si Shqipëri.

Fundjavën e kaluar, ne zhvilluam trofeun “Demokracia” në Kavajë. Eshtë një aktivitet i përvitshëm që bëhet në qytetin e Kavajës. Morëm pjesë me dy mosha, U23 dhe Junior.

Dy grupmosha që ne pretendonim të merrnim trofe dhe të them të drejtën udhëtimi ishte pak aventuriesk, brenda dite. Çohu në mëngjes herët nga Shkodra. Diku rrugës ndalonim dhe hanim mëngjes me sportistët. Ishte shumë e vështirë, duke parë që ekipet tjera kishin shkuar një natë përpara.

Kishin përgatitur terrenin, i kishin përgatitur të gjitha. Megjithatë, ne jemi mësuar me këto kushte. U bë një garë jashtëzakonisht e fortë. Kishte shumë ekipe nga Maqedonia, nga Kosova, nga rajoni dhe të them të drejtën, ne ishim me një makinë shoqërimit aty. Gara ishte e ndarë në dy displina. U23 në vete dhe Junior në vete.

U detyrova vetë duke parë edhe eksperiencën e Bruno Kolës, që është më i pjekur, lashë vetëm atë. Shoqëruam ekipin e të rinjve, me Servet Kastratin dhe ia arritëm ta korrim me sukses këtë aktivitet me U23 dhe Junior.

Edhe Bruno në krahun tjetër, me garën e tij, bëri shumë shumë mirë. Ishte një garë që ia vlen të them të drejtën, për investimin që është bërë.

Kemi parë një investim të jashtëzakonshëm. Kjo është gara e dytë e vitit, sepse gara e parë, nuk ishte aty ku duhet të ishim, pasi vinim nga një periudhë e dimrit.

Një periudhë jopozitive për ne, për sportin e çiklizimit, duke pasur parasysh, që ne nuk kemi një palestër, ku të bëjmë stërvitje në dimër, por veç në natyrë dhe koha ishte shumë e kufizuar. Atë humbje që kishim në aktivitetin e parë e rikuperuam këtë garë. Jemi të kënaqur. Shpresojmë të vazhdojmë me këto nivele me këto sportista.

Duhet të falënderoj shumë dhe dua ta përshëndes një talent të ri, që do ta them me gojën plotë që këtu në Shkodër po lind një talent i ri për çiklizmin shkodran dhe atë shqiptar. Një çiklist me një të ardhme të ndritur, si Servet Kastrati, është një sinonim i Agim Tafilit, në shumë aspekte.

Eshtë një talent i lindur, por duhet të punohet me të. Duhet të investohet që ta mbajmë, që mos të ikin si të tjerët. Duhet të punohet shumë me të, pasi është i jashtëzakonshëm. Kastrati arrin të mundë edhe më të mëdhenj se në moshën e tij. Prodhimi i çiklistëve nga Bërdica është një traditë. Agim Tafili është emblema e Shkodrës dhe e gjithë Shqipërisë.

Normalisht, shpresoj të gjejmë elementet e duhur që ta mbajmë gjallë këtë sport. Eshtë sport i kushtueshëm, prandaj kërkojmë edhe mbështetjen e Bashkisë Shkodër.

Çdo kilometër që bëjmë, është kosto, sepse nuk është sport palestre, është sport në rrugë. Po nuk e shoqërova sportistin me makinë, është e pamundur të bëjmë stërvitje.

Kemi paraqitur një kërkesë dhe shpresojmë të na realizohet. Shpresojmë tani me mbështetjen e Bashkisë Shkodër se do të bëjmë diçka, pasi na janë hapur shumë gropa dhe shumë problematika.

Shpresojmë ta zgjidhim me Bashkinë Shkodër dhe ta mbështesim Servet Kastratin, sepse nuk lindin përditë kështu talentesh. Kryesorja është baza materiale, të cilat janë shumë të kushtueshme në sportin e çiklizmit.

Çiklizmi ka shumë shpenzime, ka karburantin, ka biçikletat që kushtojnë shumë shtrenjtë, ka kosto të tjera shumë të larta. Çiklizmi është një sport i hershëm që ne krenohemi me të.

Eshtë gjynah që të mos ketë një ekip model, por duhet një mbështetje financiare. Ne jemi në prag të shumë aktiviteteve.
Shpresojmë që, edhe ndihma financiare të jetë diçka më konkrete. Shpresojmë shumë.

Javën e ardhshme, jemi të ftuar në Maqedoni, në një turne të ftuar atje. Shpresojmë të paraqitemi mirë, sepse vitin e kaluar dolëm me medalje nga Maqedonia.

Shpresojmë që, edhe këtë vit të bëjmë paraqitje. Pa llogaritur që në fund të muajit, është e programuar që të zhvillohet kupa “Agim Tafili”.

Një eveniment shumë i rëndësishëm për ne në Shkodër për sportin e çiklizmit. Shpresojmë ta mbyllim me sukses”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i çiklizmit të Vllaznisë, Leonat Kola.
Maringlen ZHIVANI