Në kampin dinamovit e kanë vlerësuar maksimalisht ndeshjen ndaj Vllaznisë por e njëjta gjë edhe në atë shkodran. Trajneri Lika në prononcimin e tij për mediat një ditë para kësaj ndeshje shprehet se ekipi që ai drejton nuk do të jetë i kënaqur as me barazimin në këtë përballje direkt me një nga rivalët e saj kryesorë. Ja si i është përgjigjur pyetjeve të bëra numri 1 i pankinës kuqeblu:

-Profesor, kampionati duket se po “nxehet” sepse është shtuar rivaliteti. Nesër ndaj Dinamos besoj se do të jetë e vështirë apo jo?

-Sipas logjikës së kampionatit, skuadrat kanë ardhur në rritje dhe kuptohet që kërkojnë secila prej tyre të marrin më të mirën e mundshme dhe prandaj mendoj se kampionati do të bëhet akoma më i fortë dhe akoma më i bukur.

-Të paktën në rrjete sociale, Dinamo dhe Erzeni po e “kërcënojnë” në njëfarë mënyre Vllazninë. Sa e ndjen Vllaznisë këtë presion psikologjik?

-Normale që skuadrat të cilat janë më afër nesh si Erzeni e Dinamo po bëjnë mirë në kampionat, ashtu siç po vazhdojmë të bëjmë mirë edhe ne. Kështu, që shpeshherë futbollistëve i kemi thënë të kthejnë edhe kokën prapa që të shikojnë edhe kundërshtarët, ashtu siç ato na shohin ne dhe duan të na ofrohen sa më shumë. Si çdo skuadër, po bëjmë punën tonë dhe kërkojmë të japim maksimumin në çdo ndeshje.

-Mendosi se është ndeshje deçizive kjo me Dinamon për vazhdimësinë e kampionatit?

Kjo është një ndeshje e rëndësishme sepse është me një kundërshtar direkt i cili pretendon të ngjitet në renditje, kështu që kemi përpara një ndeshje të vështirë, ashtu siç janë në përgjithësi të gjitha dhe për m tepër ndaj Dinamos, një skuadër që ka në përbërje disa lojtarë cilësorë dhe me përvojë.

-Duket se barazimi nuk kënaq asnjërën skuadër nesër…

-Nuk besoj se barazimi shërben për objektivin final që ne kemi, gjithsesi ne shkojmë të marrim maksimumin edhe në këtë ndeshje.

-Braziliani Junior ka deklaruar se pas golit ndaj Burrelit, nuk do të ndalët më. Diçka pozitive kjo për ekipin?

-E vërtetë se ai kishte disa ndeshje që nuk po shënonte, megjithatë u rikthye tek goli ndaj Burrelit dhe kjo është diçka pozitive si për të ashtu dhe për skuadrën. Shpresojmë që të vazhdojë kështu. Ne duam në rradhë të parë që sportistët të na luajnë mirë në ndeshje sepse duke luajtur mirë, kuptohet që do të vijnë edhe golat.

-Edhe këtë herë skuadra do të jetë e plotë?

-Kemi ndonjë shqetësim të vogël me ndonjë prej futbollistëve nga gjendja gripale që po kalojnë megjithatë të shohim deri nesër për gjendjen e tyre.

-Në kampin dinamovit, ndonëse nuk shquhen për ndonjë tifozëri të madhe, duket se një organizim të madh për të mbledhur sa më shumë tifozë për nesër ndaj Vllaznisë. Ju shqetëson kjo gjë?

-Me të drejtë e konsiderojnë një ndeshje të rëndësishme për Dinamon, por ne shohim këtë gjë edhe si respekt ndaj Vllaznisë. Besoj se meritojmë respekt dhe tek Dinamo duket se dëshirojnë ta ngrenë akoma më lart këtë sfidë e cila pavarësisht se është e kategorisë së parë, duan që ta ngrenë në nivelin e një derbi tradicional të zhvilluar në vite në mes Dinamos dhe Vllaznisë. Historia e futbollit shqiptar ka treguar se këto dy skuadra kanë luajtur një futboll jashtëzakonisht të bukur dhe rezultatet e përballjeve në mes tyre kanë qenë shpeshherë shumë intriguese.

-Pra, besoni se do të ktheheni në Shkodër me tre pikë?

-Ne shkojmë në çdo ndeshje për tre pikë, pavarësisht se edhe kemi gabuar në ndonjë ndeshje të veçantë, por shpresojmë të mos gabojmë në vazhdimësi.
© shkodrasport.com