Nga gjashtë boksierët e kombëtare shqiptare që po marrin pjesë në turneun ndërkombëtar “Gongu i Artë” që ka nisur sot në Shkup të Maqedonisë, tre prej tyre kanë arritur të fitojnë në takimet gjysmëfinale dhe kanë fituar të drejtën për t’u ndeshur në finalet e ditës së nesërme. Ata që kanë triumfuar sot në ringun e kryeqytetit maqedonas kanë qenë Taulant Zajmi, Denis Nurja dhe Arjon Kajoshi. Të tre këta boksierë kanë zhvilluar ndeshje të bukura dhe i kanë merituar fitoret. Zajmi në ndeshjen e peshës 60 kg ka fituar ndaj një boksieri rumun pas tre raundesh të shoqëruara nga një luftë e fortë sportive por në fund gjyqtaria i ka dhënë fitoren boksierit tonë. Me fitore e ka mbyllur takimin edhe Denis Nurja në peshën 69 kg ndaj Arjan Gashit të Kosovës. Ndaj një boksieri kosovar dhe pikërisht Gazmend Gashit ka fituar edhe shkodrani Arjon Kajoshi në ndeshjen e peshës 81 kg. Me këto fitore ata kanë fituar të drejtën për të synuar vendet e para në ndeshjet finale të këtij turneu. Ndërkohë Klevis Vrapi në peshën 52 kg është ndeshur me një boksier anglez dhe ka humbur me një vendim të dyshimtë të gjyqtarisë. Ka humbur edhe boksieri më i mirë i kampionatit të fundit kombëtar, Anxhelo Merkohasanaj ndaj Naser Shalës të Kosovës, në ndeshjen e peshës 64 kg e po ashtu me humbje e ka mbyllur takimin edhe Emiliano Xhediku për peshën 91 kg ndaj një boksieri nga Uellsi. Në edicionin e sivjetëm të “Gongut të Artë” marrin pjesë boksierë nga 12 shtete të Europës, çka tregon se niveli i tij është shumë i lartë dhe dalja në finale e tre boksierëve të kombëtares shqiptare, konsiderohet një sukses. Megjithatë ata nuk do të ndalen këtu sepse në takimet finale që do të nisin nesër paradite në orën 11.00, do të synojnë medaljet e arta. Kajoshi do të ndeshet me një boksier rumun ndërsa ende nuk janë mësuar emrat e kundërshtarëve të Zajmit dhe Nurjes. Nëse vitin e kaluar Kristian Demaj fitoi përveç medaljes së artë edhe kupën e “Gongut të Artë”, hera e parë për një shqiptar, nuk përjashtohet mundësia që ky sukses të përsëritet sërish.
Gjergj KOLA