Java e gjashtë e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për meshkuj ka nisur sot në mbrëmje me dy ndeshje të Superligës luajtur në kryeqytet. Dhe nuk kanë munguar surprizat, ku skuadra kampione e Shqipërisë, Vllaznia, është mundur 77-70 nga Kamza Basket, në një ndeshje emocionuese dhe me shumë rivalitet. Kjo është humbja e dytë e shkodranëve, sërish jashtë fushës së tyre, ku duken të brishtë edhe pse sot patën në dispozicion edhe malazezin Gjokovic, i rikthyer në Shkodër 10 ditë më parë. Ndërsa Kamza, me këtë fitore ngjitet në krye të renditjes, aty ku udhëheq e vetme, ndërkohë që nesër luan edhe rivalja e tretë për titull, Tirana. Takimi i luajtur në Kamëz ka qenë i ekuilibruar vetëm në periodën e parë, ku skuadrat gabojnë shumë. Por vendasit nisin shkëputjen në 10-minutëshin e dytë, kur marrin hov me lojën e tyre. Kamza përfiton nga gabimet e shkodranëve për t’u shkëputur 41-25 pas 20 minutash lojë, një avantazh i merituar. Vllaznia “zgjohet” në gjysmën e dytë të lojës dhe e rrit ndjeshëm ritmin, duke nisur të ngushtojë shifrat. Por Kamza arrin të administrojë avantazhin me meritë dhe në fund fiton me 7 pikë diferencë, duke korrur suksesin e pestë sezonal. Vllaznia ndërkohë duhet të rregullojë shumë gjëra në lojën e saj sepse po e sheh se fitimi i titullit të tretë kampion, nuk do jetë aspak i lehtë këtë sezon. Në këtë ndeshje ka debutuar për të edhe malazezi Gjokoviç i cili arriti të shënonte plot 22 pikë por pa arritur t’i japë fitoren kësaj skuadre.
© shkodrasport.com