Marcelo Troisin e kënaq fitorja me Vllazninë. Trajneri brazilian i Flamurtarit deklaroi pas ndeshjes se skuadra e tij e meritoi plotësisht triumfin dhe do të shkojë për maksimumin edhe në sfidën e kthimit në Shkodër.

“Gjatë javës e studiuam Vllazninë dhe ia dolëm ta mundnim sot (dje). Këto janë fitore me shumë rëndësi. Kuptohet që Vllaznia është një ekip i madh në Superligë.

Ata erdhën këtu për të marrë fitoren, por skuadra jonë e meritoi plotësisht atë. Tani do të shikojmë shanset në ndeshjet e radhës, pasi kemi edhe 90 minuta për të luajtur.

Do të shkojmë në Shkodër që të bëjmë maksimumin tonë. Megjithatë, pas kësaj ndeshjeje duhet të mendojmë direkt për atë të radhës në kampionat ndaj Besës”, ka thënë Troisi për “Panorama Sport”.

Ndërkohë, edhe në edicionin e vjetshëm të Kupës së Shqipërisë skuadrat janë përballur në turin e parë, teksa në Vlorë fitoi Vllaznia me shifrat 1-2, ndërsa në Shkodër gjithashtu 1-0.

Tashmë prodhohen të njëjtat shifra në ndeshjen e parë, por me ndryshimin se fitorja i përket vlonjatëve. Duke qenë se rregulli i golit në fushë kundërshtare është hequr tashmë, te Flamurtari besojnë për një kualifikim.