Vlonjatët nuk janë ndier fort rehat në Pukë. Nervat kanë shoqëruar ndeshjen, aq sa nuk kanë munguar as përplasjet fizike.

Gjatë ndeshjes ka pasur disa herë ndërprerje të lojës për shkak të tensionit. Lojtarë dhe anëtarë të stafit akuzojnë kundërshtarin për provokime dhe lojë të ashpër. Dhe për ta përforcuar këtë, vjen edhe deklarata e Marcelo Troisit. Trajneri thekson se në “Ismail Xhemali” u zhvillua boks dhe jo futboll.

Gjatë një reagimi të dhënë 24 orë pas kësaj transferte, për “Panorama Sport”, braziliani shprehej: “Me Tërbunin nuk u luajt futboll. Ishte një ndeshje boksi”.

Direkt pas ndeshjes, sakaq tha: “E kishim vlerësuar Tërbunin dhe erdhëm në Pukë për të marrë një rezultat pozitiv. Hasëm në një kundërshtar të fortë. Kishim mungesa nga dëmtimet dhe kjo ndoshta ndikoi. Rezultati më i drejtë ishte barazimi. Por besoj se kjo humbje nuk e ndalon Flamurtarin në rrugën që ka nisur drejt Superiores”.