Një tërmet i vërtetë ka ndodhur në shtëpinë e Juventusit pasi të gjithë drejtuesit e klubit kanë dhënë dorëhqejen. Sipas mediave italiane, nisur nga Presidenti Andrea Agnelli, zv.presidenti Paved Nedved dhe drejtori Maurizio Arrivabene kanë hequr dorë nga detyrat e tyre te Juventusi.

Shkak mendohet të jetë Operacioni Prisma që çoi në rishikimin e buxhetit te Juventusi pasi kishte disa parregullsi. Një vendim surprizë ky që u morr në mbledhjen e fundit të bordit drejtues të zhvilluar në Continassa.

Së bashku me Agnellin, Nedved dhe Arrivabene, kanë dhënë dorëheqjen gjithashtu edhe Laurence Debroux, Massimo Della Ragione, Katryn Fink, Daniela Marilungo, Francesco Roncaglio, Giorgio Taçhia dhe Suzanne Keywood.

Përfundon kështu një prej periudhave më të arta të Juventusit që me Andrea Agnellin në krye vendosi rekordin me 9 tituj radhazi të fituara.

Dorëheqja e presidentit të Juventusit Andrea Anjeli dhe të gjithë bordit drejtues, ka shtangur mbarë opinionin sportiv, ndërkohë që menjëherë kanë filluar hipotezat, për pasardhësit e tyre.

Në krye të listës sipas “Tuttomercatoweb”, për t’u emëruar president i “Zonjës së Vjetër” është Alesandro Nasi, ndërkohë që ky revolucion mund të përfshijë Alesandro Del Pieron si president nderi, si dhe hyrjen e figurave si Bufon dhe Kielini si pjesë e bordit drejtues.