
Tashmë nuk ka më asnjë dilemë. Klubi shumësportësh Vllaznia brenda këtij viti, nuk do funksionojë më si klub. Ai do t’i nënshtrohet një procesi të shndërrimit të tij sipas sporteve të veçanta në shoqata sportive ose shoqëri aksionere. Lajmin për këtë, e ka bërë të ditur për gazetën online
www.shkodrasport.com, nënkryetari i Bashkisë Shkodër, z. Ritvan Troshani i cili ka shpjeguar: “Procesi i shndërrimit të klubit shumësportësh Vllaznia në shoqata sportive apo shoqëri aksionere, është një detyrim ligjor dhe prandaj për të mos u gjendur të papërgatitur, kemi filluar në kohë të mendojmë për të gjetur mënyrën e duhur të këtij shndërrimi. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë. Kalimi në shoqëri aksionere mendoj se nuk është zgjidhja e duhur për momentin ngaqë biznesmenët nuk kanë shumë interes për këto sporte aktualisht. Nga ana tjetër, zgjidhja më e mirë janë shoqatat sportive. Disa sporte madje i kanë të krijuara ato por tashmë mbetet vënia në funksion të plotë e tyre, hartimi i statusit juridik të duhur dhe po ashtu duhen parë edhe ligjet e sponsorizimit dhe shumë gjëra të tjera sepse pa ndihmën e donatorëve apo bizneseve, këto sporte nuk kanë një të ardhme të mirë. Bashkia Shkodër nga ana e saj, pavarësisht mosekzistencës së klubit shumësportësh, nuk do heqë dorë nga financime i këtyre sporteve. E njëjta shumë që është dhënë deri tani për to, do jepet sërish. Shumë shpejt do nisim edhe fazën e diskutimeve me secilin prej sporteve në mënyrë që ata të fillojnë të punojnë për këtë proces që tani dhe të mos gjenden të papërgatitur. Mendojmë se procesi i shndërrimit të klubit të nisë në qershor dhe në fund të verës të ketë mbaruar”. Por a rrezikojnë sporte të ndryshme të shkrihen me këtë formë të re administrimi? Nënkryetari Troshani e pranon frikën për këtë gjë kur thotë: “Frika e shkrirjes së ndonjë sporti ekziston gjithnjë nëse pjestarët e tij nuk angazhohen shumë seriozisht për ta mbajtur atë. Si shoqatë sportive tashmë ka tjetër përgjegjësi megjithatë që ky proces të ketë sa më pak dhimbje”.
www.shkodrasport.com