Kryetari i Keshillit Mbikqyres të KF Vllaznia sh.a., Ridvan Troshani, ka cilësuar hapur trajnerin Rudi Vata si përgjegjës për gjendjen jo të mirë të skuadrës. Troshani ka pohuar atë që në media është përmendur prej kohësh, lidhur me mosrinovimin e kontratës me Vatën. Klubi i la dorë të lirë trajnerit për të ndërtuar një skuadër sipas ideve të tij, e aftë për të konkurruar me më të mirët, por rezultatet kanë dëshmuar të kundërtën. E ndërsa rrugët e Vllaznisë dhe të Vatës do të ndahen në fund të sezonit, Troshani ka sqaruar se ende nuk është vendosur për trajnerin e ri, pavarësisht emrave që kanë nisur të qarkullojnë në Shkodër.

 

– Në media është spekuluar se klubi nuk do ta rinovojë kontratën me trajnerin Rudi Vata, por nga ju nuk kanë pasur asnjë prononcim…

– Ne kemi mbajtur qëndrimin e duhur karshi trajnerit. Mendoj se tani është koha që të marrim masat e duhura, pasi i kemi dhënë besim dhe garanci të plotë trajnerit, ndonëse nuk kemi marrë rezultatet e dëshiruara.

– Kush është përgjegjës për ecurinë jo të mirë të Vllaznisë?

– Trajnerit Vata i është lënë dorë e lirë në të gjitha drejtimet, qoftë në realizimin e merkatos dhe përcaktimin e të gjitha kushteve për të pasur një ekip më të mirë se ky aktuali. Ai është përgjegjës për ecurinë aspak të mirë, pasi ne i dhamë besimin e plotë. Mendoj se janë harxhuar energji të kota dhe boshe me çështje që nuk kanë qenë në dorë të trajnerit, duke kaluar jashtë kompetencave të tij.

– E keni fjalën për akuzat e shpeshta ndaj presidencës dhe konflikteve që krijoi me median?

– Nuk dua të ndalem në shumë detaje, por të gjithë jemi të vetëdijshëm për gjërat që kanë ndodhur. Pavarësisht atyre që janë thënë e përfolur, ne kemi mbajtur qëndrim korrekt me stafin teknik e konkretisht me Vatën. i kemi dhënë mundësinë dhe gjithçka tjetër për t’u marrë me skuadrën dhe jo me faktorë të tjerë, të cilët e shpërqendruan nga puna me ekipin.

– Pse keni pritur deri tani, në një kohë që në media është shkruar shumë për këtë çështje?

– Nuk duhej të ndikonim në ecurinë e ekipit, aq më tepër që kishim ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Shpresuam që çdo gjë do të bëhej mirë dhe në Pogradec të arrinim fitoren, ndonëse ka pasur edhe faktorë të tjerë që ndikuan. Gjithsesi, presidenca e Vllaznisë i ka dhënë Vatës mundësinë për të treguar veten e për të punuar sa më mirë. Rezultatet janë ato që tregojnë më së miri ecurinë e skuadrës. Gjithsesi, nga fillimi i javës tjetër do të ketë një mbledhje të bordit drejtues për këtë çështje.

– Do të shkarkohet Vata?

– Nuk mund të them se do të shkarkohet, por ne si bord drejtues do të mblidhemi për të analizuar ecurinë e skuadrës dhe çdo gjë tjetër. Nuk e di çfarë vendimi do të merret, por sigurisht që në fund do të ketë një qëndrim në të mirë të ekipit.

– Keni menduar për zëvendësuesin e tij?

– Deklaratave të mia nuk u heq presje, por, për sa i përket zëvendësuesit, nuk kemi asgjë konkrete.

– Keni pasur bisedime me Duron e Canajn, cili prej tyre është më afër Vllaznisë?

– Thashë që nuk kemi asnjë emër konkret. Natyrisht që në fund të sezonit do të mendojmë dhe për trajnerin e ri. Di të them që do të ketë një këshill trajnerësh dhe do të jetë çdo gjë e mirë-organizuar për zgjedhjen e tij.

– Është lakuar si mundësi dhe një tjetër trajner shkodran.

– Asnjë alternativë nuk përjashtohet. Përderisa nuk kemi asgjë konkrete janë të pranueshme të gjitha mundësitë. E rëndësishme është që për sezonin e ardhshëm do të kemi një trajner për një skuadër pretendente.

– Duke u ndalur tek aksionet e Vllaznisë, nuk do njihni kontributin e ish-donatorëve. Pse?

– Nuk është se ne nuk duam të njohim kontributin e donatorëve. Madje mund të them se na vjen keq për një gjë të tillë. Por pengesa jonë kryesore është që nuk gjejmë asnjë rrugë ligjore që të mundësojë një gjë të tillë. Prandaj dhe nuk mund të njohim më shumë se vitin e fundit të financimit. Nuk mund të dalim mbi ligjin.

– Do të dalin në shitje aksionet e Vllaznisë dhe a do të ketë biznesmenë të interesuar?

– Ne kemi në dorë t’i parashtrojmë këshillit bashkiak për të vendosur nëse aksionet e Vllaznisë do të shiten. E mira është që të ketë biznesmenë të interesuar dhe të blejnë aksionet, pasi në qoftë se gërshetohen financimet publike dhe ato private do të kemi një skuadër më të mirë. Ne si bashki nuk mund të jemi të përhershëm, por tani na lind për detyrë të bëjmë më të mirën e mundshme në administrimin e situatës. E rëndësishme është që për Vllazninë të punohet me seriozitet e përqendrim maksimal dhe këtë ne jemi duke e bërë në të gjitha drejtimet.

Intervistoi: Anton ZALLI