Trajneri i Juventusit, Mauricio Sarri, ka pranuar se mbetet i çuditur nga zërat që dëgjon për përforcime të tjera të bardhezinjve. Skuadra italiane duket se është gjithmonë e përfshirë në transferimet e lojtarëve që janë ende në treg edhe pse nuk ka finalizuar lëvizje së fundmi.

Për Sarrin, kjo është situatë e çuditshme duke llogaritur se nuk ka mungesë lojtarësh, por mbipopullim. “Unë kur lexoj gjërat shpeshherë çuditem. Zgjedhjet e Sarrit, zgjedhjet e Paratiçit… A ia keni idenë përbërjes së Juventusit? Duhet të heq 6 lojtarë për listën e Champions, këtë nuk kam lexuar nga asnjë anë. Pastaj zgjedhjet do të duken të çmendura.

Ne duhet të heqim 6 lojtarë për listën e Champions nga grupi aktual dhe kjo po na vendos në vështirësi. Ndoshta kemi në mendje disa zgjidhje, por nëse nuk na vjen ndesh merkato, është e kotë, 20 ditët e fundit të merkatos do të jenë të vështira për ne, është një situatë e vështirë, e turpshme, pasi rrezikojnë të mbeten jashtë listës lojtarë me nivel shumë të lartë. Është një situatë që duhet të zgjidhim.

Unë do të dëshiroja t’i mbaja të gjithë, por kemi problem se nuk kemi futbollistë të rritur në klub përveç njërit. Ndaj grupi në Champions do të jetë me 22 lojtarë ndër të cilët tre portierë dhe do të jetë e vështirë pasi merkato do të na detyrojë të bëjmë zgjedhje që nuk do të dëshironim t’i bënim”, ishin fjalët e Sarrit duke shpjeguar problemin real me të cilin po përballet aktualisht. /vipsport/