Ekipi i Vllaznisë i ka mbyllur 12 javët e para të kampionatit para Botërorit në vendin e 5-të. Por me 19 pikë të grumbulluara , duke qenë vetëm 3 pikë pas dyshes kryesuese Tirana dhe Partizani në kuotën e 22 pikëve. Lojërat e kuqebluve kanë ardhur gradualisht në rritje duke rritur kështu edhe optimizmin tek tifozët. E me patjetër që në rikthimin e kampionatit do tentohet kreu i tabelës.

Por gjithashtu tek shkodranët apo edhe në mbarë Superioren ka pasur një zbulim. Ai quhet Rejan Alivoda. Mesfushori i dalë nga akademia kuqeblu, pati fatin të debutojë në këtë edicion me skuadrën e tij të zemrës. Ndoshta në emergjencë për shkak dëmtimesh, trajneri Josa ishte i detyruar ti besonte 19-vjeçarit që në javën e 4-ët të kampionatit.

Besimi i dhënë nga trajneri, por edhe stafi teknik u shpërblye nga Alivoda që nga ndeshja në ndeshje është shfaqur në nivelin e duhur. Duke u shndërruar kështu në jo vetëm një zbulim, por edhe në një lojtar të formacionit tashmë pavarësisht rikthimeve edhe të të dëmtuarve së fundmi.

Kishte kohë që tek Vllaznia, një lojtar që vinte nga të rinjtë të ishte protagonist. Alivoda ka zhvilluar 7 ndeshje rradhazi si titullar dhe duke mos u zëvendesëuar në asnjë minutë. Patjetër kjo është diçka pozitive edhe për faktin se një 19-vjeçar po arrin ta përballojë kampionatin. Por gjithashtu edhe një shtysë akoma më tepër që të punojë e pse jo të tentojë më shumë në karrierën e tij.
Endri ÇINARI