Trajneri i Çelsit, Tomas Tuhel, është shfaqur i nervozuar pas eliminimit nga Liga e Kampioneve të martën në mbrëmje. Ai e ka kapur me arbitrin e takimit Simon Marçiniak.

“Kur mbaroi ndeshja pashë arbitrin e takimit duke u gajasur me Ançelotin dhe kjo më la shije të keqe. Shkova për t’i dhënë dorën pas një humbjeje të rëndë dhe e gjeta duke qeshur me trajnerin rival dhe kjo nuk m’u duk diçka e hijshme”, ka thënë Tuhel.

Trajneri i Çelsit ka rrëfyer dhe atë çfarë nuk shkoi me skuadrën e tij, që e dominoi takimin, por pa mundur të kualifikohej.

“Kemi bërë dy gabime që na kanë kushtuar kualifikimin. Janë gabime që nuk mund t’i bësh kundër Realit, por kjo ishte një humbje që na bën krenarë, pasi kemi dominuar dhe ishim shumë pranë kualifikimit”, ka shtuar ai.

Gjermani e ka pranuar se të gjithë janë të zhgënjyer pas këtij takimi.

“Kemi shënuar 4 gola dhe kemi krijuar shumë mundësi, e natyrisht që jemi të zhgënjyer. E përmenda edhe më lart, në momentin kyç të ndeshjes gabuam vetë”, ka mbyllur ai.