Lamtumira nga Partizani nuk do të mbajë për shumë kohë larg fushave të gjelbra trajnerin Ilir Daja. Tekniku pritet të zyrtarizohet që në ditët e para të janarit në një detyrë të re.

Sipas “Koha Ditore”, tekniku kryeqytetas do të vazhdojë karrierën e tij në pankinë në kampionatin kosovar.

Atij i është ofruar mundësia që të marrë drejtimin e skuadrës së Ballkanit, e cila pak kohë më parë ndau rrugët me trajnerin Bekim Isufi.

Ballkani aktualisht mban vendin e tretë në renditjen e kampionatit me 33 pikë, vetëm 2 më pak se Gjilani kryesues. Skuadra e Suharekës lufton prej disa sezonesh për titullin kampion, por nuk ia ka dalë të triumfojë në sezonet e kaluara.

Ajo shpreson që një gjë të tillë ta bëjë pikërisht me Dajën, i cili ka qenë mjaft i suksesshëm në karrierën e tij duke fituar tituj me Elbasanin, Dinamon e Skënderbeun.