Vllaznia luan të hënën në “Elbasan Arena” ndaj Kukësit një ndeshje direkte me rivalin për vendin e tretë. Të dyja skuadrat janë aktualisht me pikë të barabarta (38), por shkodranët kanë një golavarazh më të mirë.

Fitorja e fundit ndaj Dinamos ka kënaqur shumë trajnerin gjerman të kuqebluve, Tomas Brdariç, i cili tashmë pret vazhdimësi nga ekipi i tij. Në fazën e parë Kukësi i ka mundur shkodranët në fushën asnjanëse të Rrogozhinës me shifrat 2-0, ndërsa takimi i fazës së dytë në “Loro Boriçi” është mbyllur 1- 1.

“Është diçka e mirë që po fitojmë dhe afrohemi me kundërshtarët direktë për vendet europiane. Por, për ne nuk ka kohë për të festuar. Duhet të punojmë shumë për të qenë konkurrues. Do të qetësohemi dhe do të analizojmë ndeshjen ndaj Dinamos. Sigurisht, do të mendojmë për të bërë më të mirën ndaj Kukësit.

Kemi pak kohë në dispozicion, por do të mendojmë vetëm për atë takim, duke e përgatitur në mënyrën më të mirë, për të vazhduar ecurinë pozitive”, ka thënë trajneri i kuqebluve në konferencën për mediat pas ndeshjes së fituar ndaj Dinamos.

SULMUESI DHE PORTIERI

Rikthimi te goli i sulmuesit Ante Aralica ka ngrohur së tepërmi Brdariçin. Shtatlarti kroat shënoi dy herë ndaj Dinamos, por një gol iu anulua. Ai vinte pas 10 ndeshjesh radhazi që nuk gjente rrjetën. Trajneri është i kënaqur me sulmuesin, por gjithashtu portierin e ri, Kristi Qarri, që bëri shumë mirë ndaj bluve. “Për mua nuk ka shumë rëndësi se kush shënon.

Por, kur flitet për një sulmues që po i mungonte goli, mund të them se kjo gjë i jep më shumë vetëbesim atij vetë për të shërbyer sa më mirë për ekipin.

Ndërsa për Qarrin mund të them se ka bërë një lojë të mirë dhe unë personalisht jam shumë i gëzuar, pasi evitoi një gol në fillimin e ndeshjes. Kristi është një portier shumë i mirë dhe përkrah Zogoviç, a ka çfarë të mësojë.

Kristi do të vazhdoj të rritet, teksa i përket të ardhmes së Vllaznisë”, është shprehur Brdariç për sulmuesin dhe portierin. Kujtojmë që në ndeshjen e fundit nuk u aktivizuan portieri Bojan Zogoviç për shkak kartonësh, si dhe fantazisti brazilian, Viktor da Silva, për dëmtim. Në sfidën me Kukësin mungojnë Adili, Gurishta, Jonuzi dhe Da Silva.

“Pavarësisht se janë lojtarë kyç për Vllazninë, përsëri pjesa tjetër do të dijë që të japim më të mirën e tyre”, deklaroi gjermani që drejton kuqeblutë për situatën me mungesat.