
Vete Vajushi ka konfirmuar se është vënë në dijeni nga drejtuesit e klubit për një kalim të mundshëm tek Udineze, por sipas tij asgjë nuk ka përfunduar. Futbollisti shkodran dha detaje për bisedat që po bëhen mes klubit të Liteksit dhe italianëve. “Sot (dje) më thirrën për një takim drejtuesit e klubit dhe më bën të ditur se ato që janë shkruar në gazetat bullgare janë të vërteta. Bëhet fjalë për klubin e Udinezes, por që të jemi korrektë, asgjë nuk ka përfunduar. Klubet janë ende në negociata dhe, nëse do të arrihet një marrëveshje, bëhet fjalë për një transferim në verën e vitit 2014 dhe jo në muajin janar siç dhe po flitet. Unë di të them se nuk është vetëm Udineze në lojë, por edhe disa klube të tjera, veçanërisht nga Gjermania. Drejtuesit nuk kanë dëshirë të zbulojnë asgjë, por në dijeninë time, Liteksi nuk do të më lërë të lirë pa 2 milionë euro. Për momentin, në klub më kanë thënë që të vazhdoj me këto ritme, pasi ekipi synon të fitojë titullin kampion këtë sezon”, – ka thënë dje shkodrani. Ndërkohë, i pyetur për ambiciet që ka dhe Udinezen në veçanti, Vajushi deklaroi: “Sigurisht që më josh, pasi bëhet fjalë për një klub me emër në Itali dhe që shquhet për afirmimin e futbollistëve. Megjithatë, të shohim, ku të bëhet më e mira, por mbi të gjitha ku të jetë edhe interesi i klubit, pasi jo gjithçka është në dorën time. Drejtuesit më kanë kërkuar që të bëj edhe më tepër në këtë periudhë. E rëndësishme është të vazhdoj me këto ritme, pasi larg drejt një klubi tjetër mund të them se është i sigurt”.