Futbolli i femrave është gjithnjë e më shumë në fokusin e UEFA-s, që nuk ndalet te fjalët, sepse sot ka bërë të ditur se prej vitit 2020 financimet për projektet e përfshira në programin Hat Trick do të shtohen me 50%.

Kjo do të thotë që çdo federatë europiane do të përfitojë 150.000 euro shtesë në vit, për të rritur futbollin e femrave, që sipas UEFA-s ka një potencial të jashtëzakonshëm.

Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin e ka përfshirë futbollin e femrave në listën e prioriteteve të tij që kur ka marrë drejtimin dhe po vijon të punojë fuqishëm.

Prej vitit të ardhshëm finalja e Champions League për femra nuk do zhvillohet më në të njëjtin qytet me finalen e meshkujve, duke u spostuar në Budapest për vitin 2019.
Ndërkaq, Federata të ndryshme, sidomos ato skandinave, kanë bërë një punë të mrekullueshme për futbollin e femrave, duke shtuar ndjeshëm terrenet për stërvitje e ndeshje.

Shpresa është që herët a vonë edhe në Shqipëri shteti të nisë të mendojë për të ardhmen, për zhvillimin e sportit dhe shtimin e terreneve sportive, sepse deri tani ka vetëm llafe pa fund, broçkulla politike dhe shumë pallate, pallate, pallate dhe miliona. Vetëm ajri ka mbetur pa u zaptuar, por nuk vlen më, aq i ndotur sa është… /telesport/