Një nisje e shkëlqyer e karrierës së mesfushorit shkodran Uendi Vecaj me klubin e njohur të Dinamos së Zagrebit. Ndonëse e ka nisur nga ekipi i dytë i këtij klubi, që në miqësoren e parë me të, ka arritur të lërë gjurmë duke qenë protagonist jo vetëm me lojën e zhvilluar por edhe me një gol të shënuar.

Ekipi i dytë i klubit të njohur kroat, pjesë e të cilit tashmë do të jetë ish- futbollisti i Vllaznisë, ka zhvilluar pasditen e djeshme një ndeshje miqësore ndaj Maksimir, një tjetër ekip kroat i kategorisë së parë. Ky i fundit ka shënuar i pari dhe vetëm pak minuta më vonë do të ishte 20 vjeçari shkodran që do të barazonte shifrat në 1-1. Në pjesën e dytë pastaj Dinamo Zagreb 2 do të shënonte edhe golin e dytë, atë të fitores së këtij takimi miqësor. Kujtojmë që skuadra e re e Vecajt kryeson kampionatin e kategorisë së parë në Kroaci dhe aktivizimi me të do t’i shërbejë atij për të treguar vlerat dhe pastaj për të kaluar tek ekipi i parë, por pse jo edhe në ndonjë ekip të huaj.
© shkodrasport.com