Ish-lojtari i Vllaznisë, Uliks Kotrri, sot agjent i FIFA-s dhe një njohës i mirë i futbollit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, tha për gazeten, se Shqipëria e futbollit duhet të ndjekë modelin e Sllovenisë, me zhvillim të akademisë së moshave, rroga të pakta për lojtarët dhe përfitime nga shitjet.

Kotrri, i cili ka luajtur në Austri (Klagenfurt), Gjermani (Energi Kotbus), Ukrainë (Tavria Simferopol), madje deri në Zelandën e Re (Otago Junaitid), tha se edhe një shtet i vogël i Mali i Zi, me një popullsi sa Tirana, ka futboll më cilësor dhe se klubet janë plotësisht profesioniste.

– Kotrri, karriera juaj futbollistike është ndarë midis Vllaznisë dhe katër klubeve të huaja. Cilat janë hapat e para tuaja në botën e futbollit?*
– Padyshim që, lidhen me Shkodrën dhe Vllazninë. Atje u rrita dhe u zhvillova si futbollist. Kam luajtur me ekipin e parë, rreth moshës 19-vjeçare, ndërsa më pas u transferova në Austri, te Klagenfurti, i cili është dhe ekipi im i parë i huaj. Me Vllazninë kam fituar kampionatin në vitin 2000-2001 dhe kam fituar Kupën e Shqipërisë.

Rruga ime futbollistike vazhdoi me Gjermaninë, te Energi Kotbusi, për të kaluar më pas në Ukrainë dhe Zelandën e re. Pas kthimit nga Zelanda e Re luajta sërish me Vllazninë, për t’i varur përfundimisht “këpucët në gozhdë”.

– Klagenfurti vlerësohet si një nga ekipet e mira në Austri. Si mbërritët atje?*
– Roland Luçi, një nga ish-sulmuesit më të njohur të Vllaznisë së para viteve 1990, kishte njohje me drejtuesit e Klagenfurtit, duke më rekomanduar te trajneri i ekipit. Mbërrita atje në sezonin 1995-1996. Sigurisht, pas një testimi njëmujor arrita t’i bind. Isha në fillimet e mia si futbollist, por arrita të nënshkruaj me Klagenfurtit. Pas dy javësh atje mbërriti edhe sulmuesi Edi Martini. Kemi luajtur bashkë në një ekip.

– Energi Kotbusi në Gjermani është një ekip i mësuar me lojtarët shqiptarë…*
– Unë pata fati të jem lojtari i parë shqiptar, luajta në sezonin 1997-1998. Më vonë erdhi Rudi Vata (1998-2001) dhe Ervin Skela (2007-2009). Kam pasur këmbën e mbarë mesa duket. Shpresoj që, të afrohen edhe lojtarë të tjerë shqiptarë te Energi Kotbusi.

– Sa ndikoi te ju eksperienca në Ukrainë me Tavria Simferpol?*
– Sigurisht. Gjithsesi, në përgjithësi mentaliteti futbollistik në Ukrainë ndryshon shumë nga ai perëndimor, duke u nisur qysh nga regjimi që ata ndjekin ndaj lojtarëve: stërvitje dhe gjumë. Për lojtarët e rinj që duan një eksperiencë ndërkombëtare është një opsion i mirë. Ana financiare është shumë e mirë në Ukrainë, por nuk mund të kem një gjykim për anën profesionale.

Nuk mund e di sa mund të rritesh atje. Bota e zhvillon futbollin përmes mëndjes dhe dijes, në Ukrainë e zhvillojnë përmes lekut. Në Ukrainë kanë luajtur dhe po vazhdojnë të luajnë disa lojtarë shqiptarë, përfshirë dhe shkodranë, si Elvin Beqiri. Në Ukrainë shkojnë futbollistë nga vendet e varfra, apo dhe Ballkani.

– Kotrri, ju jeni i vetmi shqiptar që keni luajtur në Zelandën e Re, me Otago Junaitid (2004-2006), një vend shumë i largët nga Shqipëria. Si ndodhi që mbërritët atje?*
– Për të shkuar në Zelandën e Re shfrytëzova njohjen personale me trajnerin-lojtar të Otago Junaitid, Terri Filan, një ish-lojtar i Kombëtares së Irlandës, i Çelsit dhe Mançester Sitit. Ai më bëri ftesën, të cilën e pranova me kënaqësi. Atje luante edhe një portier gjerman Lutc Fanenshtihl, i cili më vonë erdhi te Vllaznia, ndërsa tani është skaut i Ofenhajmit. Zelanda e Re është një nga vendet më të bukura në botë. Mbizotëron qetësia. Futbolli ishte tipik anglez, kjo dhe për shkak se janë racë angleze.

– Vllaznia është një nga ekipet shqiptare që eksporton më shumë lojtarë, madje mund t’i gjesh kudo.*
– Vllaznia ka pasur një strategji të qartë në lidhje me ekipet e moshave, gjë që pak ndodh me klubet e tjera. Vllaznia i ka kampione skuadrat e moshave për disa vite. Shkodra është një qytet që prodhon dhe do të prodhojë gjithmonë futbollistë, pasi futbolli është një fe atje. Qyteti është i fiksuar pas futbollit.

*Shkodranët me “valixhe në dorë”*
Janë disa lojtarë shkodranë që kanë luajtur jashtë vendit. Kështu, mbrojtësi Admir Teli ka luajtur në Azerbajxhan me FK Karabak teksa më parë ka luajtur në Turqi, me Haçetepespor. Sulmuesi Hamdi Salihi luan në Austri por me pare ka luajtur në Greqi, Austri, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kine dhe Izrael. Sulmuesi tjetër, Bekim Balaj luan në Rusi ndërkohë që ka luajtur edhe në Turqi e Çeki.

Mesfushori i avancuar, Armando Vajushi, luan në Rumani por ka luajtur edhe ne Bullgari e Itali. Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Rudi Vata, ka luajtur në Francë, Gjermani, Skoci, Qipro, madje deri në Japoninë e largët. Ish-mbrojtësi i njohur i viteve 1980-1990, Hysen Zmijani ka luajtur në Francë (Ajaccio), Arabinë Saudite (Al Nasser) dhe Gjermani (St.Polten).

Uliks Kotrri ka luajtur në Austri (Klagenfurt), Gjermani (Energi Kotbus), Ukrainë (Tavria Simferopol), madje deri në Zelandën e Re (Otago Junaitid). Portieri Armir Grima ka luajtur në Greqi me Ethnikosin, ndërkohë që sulmuesi Vioresin Sinani kaluajtur në Kroaci me Varteksin dhe në Turqi me Kayserisporin.

Mbrojtësi Elvin Beqiri ka luajtur në Ukrainë me Metalurh Donetskun dhe Arsenalin e Kievit, në Rusi me Alania Vladikavkazin, në Izrael me Makabi Tel Avivin dhe në Azerbajxhan me Khazar Lankaranin. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë, Suad Lici ka luajtur me FK Baku të Azerbajxhanit. Mesfushori Albert Kaçi ka luajtur në Zvicër me Lucernin, ndërkohë që mbrojtësi Klodian Semina është aktivizuar në Bullgari (Belasicën), Qipro (Ael Limasol) dhe Zvicër (Lokarnon). Sulmuesi Edi Martini (sot trajneri i Luftëtarit) ka luajtur në Slloveni (Svoboda Ljubjana), Austri (Klagenfurt) dhe Gjermani (Eintraht Frankfurt).