Ka patur një tjetër takim dje mes zyrtarëve të FSHF— së dhe Ministrisë së Shëndetësisë sa i përket rifillimit të aktiviteteve sportive dhe në veçanti futbollit. Përveç diskutimeve rutinë në lidhje me masat që do të merren, protokollit dhe reagimit në situata emergjente, nëse një apo më shumë lojtarë do të rezultojnë gjatë aktivitetit me “COVID 19”, theksi i bisedimeve dje ka qenë më së shumti te koha.

Po, po koha dhe rishikimi i afateve të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, e ka cilësuar si një tjetër takim shpresëdhënës dhe bashkëpunues takimin e djeshëm, por këmbëngul që ministria të ndryshojë datën e stërvitjeve kolektive.

31 MAJI, SI AFAT I FUNDIT

FSHF i qëndron idesë se stërvitjet kolektive në terren të hapur duhet të nisin më 18 maj, ndërsa ato individuale duhet të kishin nisur ndërkohë. “Takimi me zyrtarët e ministrisë ka qenë vërtet pozitiv.

U kemi shpjeguar protokollin e masave që kemi hartuar dhe kemi marrë vlerësime nga ekspertët e ministrisë, – thotë Shulku për ‘Panorama Sport’. – E theksoj edhe një herë se federata dhe klubet janë të ndërgjegjësuara për të bërë kujdesin maksimal në këtë kohë pandemie.

Por duhet të kuptojmë gjithashtu se koha nuk është më në favorin tonë. E kam fjalën për pjesën e përgatitjeve para se të nisë sezoni. Skuadrat duan minimalisht dy javë përgatitje intensive në grup që të mund të jenë gati për të përballuar edhe një ngjeshje të kalendarit.

Në këtë pikë, ne i kemi kërkuar edhe njëherë ministrisë që të rishikojë lejimin e stërvitjeve individuale sa më shpejt. Data 18 maj për të nisur stërvitjet individuale dhe më pas për të vazhduar me stërvitje në grup, e bën praktikisht të pamundur rifillimin e kampionatit”, deklaroi Shulku.

Sipas sekretarit të federatës, nëse sezoni nuk nis më 31 maj, gjithçka komprometohet dhe nuk mundet të luhet më. “Edhe në pikën ku jemi, do të jetë e vështirë për t’u përballuar – theksoi ai.

– Skuadrat dhe stafet kanë nevojë për një përgatitje para se të nisë kampionati, por edhe UEFA nga ana tjetër ka vendosur një limit, pra duhet të përfundojnë kampionatet brenda fundit të korrikut. Nëse nuk nisim më 31 maj, e shoh realisht shumë të vështirë”, tha numri 2 i federatës.

PËRGJIGJJA FINALE, SOT

Vetë Shulku e pranon se vullneti nga ana e zyrtarëve të ministrisë është që të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë sportin me udhëzimet e duhura në këto kohë të vështira.

Por ndërkohë federata i ka bërë një kërkesë të qartë Ministrisë së Shëndetësisë: të lejohen që nga sot stërvitjet individuale në ambjente të hapura dhe më pas më 18 maj të gjitha skuadrat e futbollit të nisin stërvitjet në grup, duke respektuar rigorozisht protokollin që do të miratohet nga federata dhe ministria.

“Stërvitjet individuale duhet të kishin nisur prej disa ditësh. Kam qenë gjithnjë i këtij mendimi, duke marrë parasysh që lojtarët stërviten në ambjente të hapura me kontakte të limituara. Por kjo iku tashmë. Ne i kërkuam ministrisë që të lejojë të fillojnë sa më shpejt stërvitjet individuale të skuadrave.

Nuk ka më kohë. Ia kemi dorëzuar protokollin e masave mbrojtëse dhe presim një përgjigje. Personalisht, pas bisedave që kemi bërë ditët e fundit, kam bindjen se do të gjejmë gjuhën e përbashkët në të mirë të futbollit. Megjithatë, fjalën e fundit do ta thotë Ministria e Shëndetësisë”, deklaroi dje sekretari i FSHF-së.