Mesfushori Armando Vajushi i dha fund aventurës së tij me ekipin e Pro Vercellit. Lojtari shkodran e mbylli karrierën me skuadrën italiane pas 3 vitesh, pasi klubi që kishte në pronësi kartonin e tij ra në Seria C.

Kjo ka bërë që shkodrani të ndërpresë kontratën me Pro Vercellin. Një rrezik që ka marrë përsipër 26-vjeçari, pasi merkatoja është drejt mbylljes.

Telesport kontakoi me menaxherin e futbollistit, Sokol Haxhia, dhe ky i fundit sqaroi gjithçka në lidhje me prishjen e kontratës me Pro Vercellin, por dhe të ardhmen e futbollistit.

“E prishëm kontratën, pasi lojtari nuk mund të luante në Seria C. Jemi në pritje të një kontrate që mund të na kënaqë”, – u shpreh fillimisht Haxhia.

Ky i fundit sqaron se sulmuesi i krahut mund të mbetet në Itali, pavarësisht se merkatoja është mbyllur. “Duke prishur kontratën me Pro Vercellin, Vajushi mund të firmosë në Seria A dhe B, por dhe jashtë këtij shteti.

Arsyeja është e thjeshtë, Pro Verceli është në ‘Lega Pro’ (Seria C) dhe merkato mbyllet sot, por ka pasur një kohë shtesë deri më 31 gusht.

“Rregulli thotë që nëse një lojtar i Seria C prish kontratën para mbylljes së merkatos është i lirë të firmosi në çdo kategori. Vajushi po stërvitet me përgatitës personal atletik dhe po zhvillon stërvitje dy herë në ditë”, – u shpreh Haxhia për Telesport.

Kjo situatë nuk i shkon për shtat shkodranit, pasi ai arriti të fitonte dhe ftesën e trajnerit Christian Panucci për kombëtare, por tani gjërat mund të ndryshojnë sërish./telesport/