Nga Maringlen ZHIVANI
Valdano Nimani është një nga trajnerët më seriozë dhe më të mirë në zonën e Shkodrës. Një gjë të tillë e tregojnë edhe shifrat dhe puna e tij që ai ka bërë deri më tani me Akademi të ndryshme. Nimani, si trajner i KF Shkodra U-19, përveç rezultateve pozitive që po arrin të sigurojë me këtë ekip, po i kushton shumë rëndësi formimit profesional të futbollistëve dhe për këtë dëshmon edhe renditja në tabelën e klasifikimit.
Kështu, ekipi U-19, i drejtuar nga trajneri i mirënjohur Valdano Nimani, e ka mbyllur fazën e parë në vend të tretë, pas një paraqitje shumë të mirë në ndeshjet e deritanishme. Në fakt, në duelin e fundit të luajtur ditën e djeshme, Nimani me ekipin e tij, Shkodra U-19, ka arritur që të fitojë thellë me rezultatin 4-1 ndaj skuadrës së Andi Lilës, Triumph, duke e dominuar ndeshjen në të gjitha aspektet dhe një gjë të tillë e tregojnë edhe shifrat në fund të 90-minutave.
Në fakt, në 11-duelet e fazës së parë të kampionatit, Nimani me ekipin e tij ka arritur të fitojë gjashtë, të barazojë tre dhe të humbasë vetëm dy, teksa me 21-pikë të grumbulluara renditet në vendin e tretë, duke patur vetëm tre pikë më pak se vendi i dytë. Një ecuri, e cila tregon qartë që Shkodra U-19 ka bërë shumë mirë gjatë këtij sezoni me Nimanin në krye të këtij ekipi dhe padyshim që, do të tentojë ta mbajë deri në fund të kampionatit.
Një nga elementët kryesorë të Shkodra U-19 është edhe stabiliteti që ka ky ekip në ndeshje të ndryshme dhe meritë për këtë ka trajneri Valdano Nimani, i cili i kushton shumë rëndësi lojës në mbrojtje, teksa skuadra e tij ka pësuar vetëm 14-gola. Ndërkohë që, ka shënuar 27-të të tillë deri më tani. Sukseset e deritanishme të Nimanit nuk janë rastësi, sepse ai i kushton shumë rëndësi punës me moshat, por edhe të luajturit bukur futboll.
Natyrisht që, Valdano Nimani asnjëherë nuk i ka kushtuar rëndësi rezultatit dhe fitimit të ndeshjeve apo edhe renditjes, por kur skuadra luan bukur edhe rezultatet nuk mungojnë dhe kështu ka ndodhur edhe me trajnerin në fjalë në krye të Shkodra U-19./SHKODRA-SPORT.COM/