Ish-lojtari i disa ekipeve në vendin tonë dhe aktualisht trajner i The Door, Valmir Kurti ka folur për situatën e Vllaznisë. Sipas tij ndryshimi i pankinave është pozitiv sepse do ndryshojë të paktën frymën e lojtarëve.

Po ashtu Kurti u ndal edhe tek disfata e fundit kundër Laçit, ku theksoi se skuadra jo vetëm që nuk shfaqi aspak futboll, por edhe aspak grintë e dëshirë. Gjithsesi ai ka besimin ende se Vllaznia mund ta fitojë titullin kampion pavarësisht 7 pikëve diferencë me Partizanin dhe Tiranën.

Kurti tha: “Ndeshja kundër Laçit ishte totalisht nën pritshmëritë nga ana e kuqebluve. Një duel pa ritëm dhe pa befasi. Që tregoi realisht atë çfarë ka shfaqur skuadra në periudhën e fundit. E prandaj jam i sigurtë që ndryshim i pankinës do sjellë energji të reja. Për profesor Josen dihen vlerat që ai ka, por me sa duket çdo cikël mbyllet.

Uroj dhe kam besimin se dyshja Miloti-Sinani do sjellin një entuziasëm tjetër. Kjo me atë çfarë kanë dhuruar ndër vite për futbollin shkodran e për atë çfarë ata pëfaqësojnë. Ekipi duhet të gjejë grintën dhe dëshirën e duhur që i ka munguar shumë këtë periudhë. Nuk mjafton vetëm cilësia apo emri në letër, duhet treguar që e meriton të luash për Vllazninë.

Titulli kampion? Mund të quhem optimist i tepruar, por unë ende kam besim. Janë 7 pikë larg Partizani dhe Vllaznia. Ti shohësh me ftohtësi nuk janë pak, por as shumë. Unë ende besoj se Vllaznia mund të sjellë titullin dhe yllin në fanellë në fundin e sezonit”.
Endri ÇINARI