U deshën të kalonin tre dekada, që Liverpuli të ishte një skuadër e denjë për të fituar titullin. Djemtë e Klop janë treguar perfektë këtë sezon në kampionat dhe kanë krijuar një shkëputje të frikshme. Nëse kampionati nuk do të ishte ndërprerë, ata do të ishin skuadra e parë që e fitonin titullin pa arritur muaji prill. Gjithsesi, tashmë gjithçka është pezull për shkak të rrezikut ndaj koronavirusit dhe duhet të vendoset në lidhje me të ardhmen e futbollit.

E sigurt është se Liverpuli do e ngrejë trofeun, por ajo që e bën të zymtë këtë triumf është fakti se do duhet të festojnë pa praninë e tifozëve. Pikërisht kjo e shqetëson edhe Van Dajk, i cili e quan zhgënjyese festën e kampionatit pa praninë e atyre për të cilët Liverpuli zbret në fushë.

“Nëse ne fitojmë në një stadium bosh dhe tifozët nuk janë aty, do të ishte shumë zhgënjyese. Sigurisht, nëse nuk ka tifozë në ‘Anfield’ do të ishte dëshpëruese. Askush nuk dëshiron të luajë pa tifozë. Deri në momentin që do të ketë një vendim, na duhet ta përballojmë këtë situatë. Më pas, do të rillojmë gjithçka dhe do t’i japim titullin tifozëve tanë”, u shpreh Van Dajk. /vipsport/