Vllaznia është në kolaps total, me shkodranët që marrin humbjen e dytë radhazi në kampionat. Pas disfatës me Tiranën, Vllaznia humbet dhe ndaj Egnatias me rezultatin 3-0.

Pritej që kjo ndeshje do ishte e vështirë për Vllazninë pas largimit të Tomas Brdariç. Egnatia dominoi gjatë gjithë pjesës së parë, me rrogozhinasit që shpërdoruan raste pafund.

Këmbëngulja shpërblehet dhe në minutën e 31 sulmuesi Pedro Augusto u dha avantazhin rrogozhinasve. U deshën rreth 5 minuta konsultim me VAR nga arbitri që të konfirmohej goli. Egnatia shpërdoroi raste të shumta, kjo dhe për faj të gabimeve të shkodranëve në mbrojtje.

Në pjesën e dytë Vllaznia bëri disa zëvendësime dhe kishte 2-3 raste të mira, por portieri Puja ishte i saktë për të larguar rrezikun. Në momentin më të mirë të tyre Vllaznia mbetet me 10 lojtarë, pasi Heriç u ndëshkua me karton të kuq.

Egnatia vulosi fitoren pas një kundërsulmi dhe ishte përsëri Pedro Augusto që shënoi golin e dytë. Por sulmuesi nuk kishte mbaruar aty pasi në minutën e 87’ ai shënoi golin e tretë personal.

Me këtë triumf Egnatia mbetet në vendin e 8 me 27 pikë të grumbulluara, ndërsa Vllaznia në vendin e 4 me 39 pikë.

EGNATIA-VLLAZNIA 3-0

31′, 78′, 87′ Augusto