Trajneri i Egnatias, Zekerija Ramadani, foli pas triumfit 3-0 që rrogozhinasit, arritën në shtëpi ndaj Vllaznisë. Në prononcimin pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, tekniku i Egnatias u shpreh:

FITORJA- Prisnim një fitore, në 2 ndeshjet e fundit morëm vetëm 1 pikë. Ndaj Partizanit humbëm 2 pikë nga mos përqendrimi. Sot ekipi ishte më i dispiplinuar. Nuk ishte ndeshje e lehtë, pavarësisht rezultatit. Po të kishim dyfishuar avantazhin në pjesën e parë, do ta kishim më të lehtë. Pas korrigjimit të skemës, dolëm te vetja dhe shënuam 2 gola qetësie. Një rezultat I pastër. Është një punë e mirë, kur shënon dhe nuk pëson ndaj Vllaznisë.

PUSHIMI- Nuk jemi ekip i madh që kur kapim ritmin mund të bëjmë 8 ndeshje pa humbje. Kjo pauz mund të jetë ndihmë e madhe që futbollistët të çlodhen. Pas kësaj pauze na pret një kampionat maratonik. Duhet të rikuperojmë futbollistët që kemi të dëmtuar.

STUDIMI I KUNDËRSHTARIT- Kemi parë disa ndeshje të Vllaznisë, qendrat e tyre lenë hapësira. Në pjesën e parë duhet të kishim shënuar të paktën 2 gola, në të njëjtën mënyrë. Është mirë, që atë që e punon në stërvitje e shfaq gjatë ndeshjes. Kishim mundësi të shënonim edhe më shumë.

SULMUESI PEDRO AUGUSTO- Ka edhe 2 sezone të tjera kontratë. Jemi të sigurt, nëse vjen ofertë e mirë, vendos klubi.

RIVALËT PËR MBIJETESË- Na intereson vetja që të marrim 3 pikë. I shikojmë edhe rivalët, rezultatet e bëjnë që gara të jetë interesante, mos ketë kalkulime. Shpresojmë të jetë ndeshje e ndershme deri në fund të kampionatit.

TRAJNERI- Kur ndërrohet është thikë me 2 tehje. Në të dy anët pritesh. Ndonjëherë del mirë, ndonjëherë del keq. Shpresoj që kjo që i ndodhi homologut të Vllaznisë t’i ndodh dhe atij të Dinamos, javën e ardhshme.