Vllaznia e sivjetme ka vendosur t’i besojë më shumë elementit të ri dhe kryesisht atij shkodranë që në fakt nuk mungojnë në këtë skuadër. Rudi Vata, ish- kapiteni i njohur i kombëtares, përpos vlerësimeve edhe për Qarrin, Smajlin, Alivodën etj, është ndalur tek dy emra të posaçëm.

Pikërisht tek Ildi Gruda dhe Mehdi Çoba. Gjatë komentit të tij në “Star Sport”, Vata ka patur vetëm një kritikë për ata të dy: Moskonkludimin ashtu si duhet para portave kundërshtare dhe për këtë u ka bërë thirrje lojtarëve por edhe stafit teknik për të punuar më shumë me ta në këtë drejtim.

“Mendoj që tek Vllaznia ka lojtarë të cilët stafi duhet të punojë fort për t’i rritur akoma. Unë e shikoj Grudën me disa cilësi të jashtëzakonshme dhe nuk mendoj se ka lojtarë më të shpejtë se ai në kampionatin shqiptar. Por në fazën finale, pra në finalizim, ai ka probleme.

Edhe në ndeshjen ndaj Kukësit pati 2-3 momente të tilla, kur bëri shumë mirë por humbi përballë portierit. Prandaj i duhet të punojë më shumë për të qenë më konkret para portës kundërshtare.

Të njëjtën gjë bën edhe Çoba, është lojtar i shpejtë, lojtar agresiv që e merr mbrojtësin deri në fundore. Edhe me Linfieldin humbi raste të pastra. Prandaj them që duhet punuar shumë me këto dy lojtarë që ata të shënojnë gola. Janë të rrezikshëm dhe nuk ma merr mendja se ka lojtarë anësorë më të rrezikshëm kampionati shqiptar sesa këta të dy.

Por u duhet të punojë më shumë për të bërë gola sepse po ta bëjnë këtë gjë do të jetë diçka shumë e mirë edhe për Vllazninë sepse po të kesh dy anësorë të rrezikshëm, të shpejtë dhe që krijojnë vazhdimisht faza paniku tek kundërshtari, ke gjithmonë avantazh, por e përsëris, i duhet të punojnë më tepër për të shënuar më shumë”- u shpreh Rudi Vata./SHKODRA-SPORT.COM/