Skuadra e Veleçikut të Koplikut ka pësuar një humbje në një ndeshje me një rival direkt, siç ishte Sopoti. Koplikasit humbën në shifrat 1-2 brenda në shtëpi. Ndeshja që u luajt në impiantin sportiv “Vëllezërit Duli” në qytetin e Koplikut, u shoqërua me shumë kontestime ndaj gjyqtarit të takimit, kryesisht në pjesën e dytë dhe në fund të takimit.

Përballja nisi me Veleçikun që shënoi golin e parë në minutën e 15-të, me anë të Hajdarit me penallti. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të koplikasve.

Sopoti nuk dorëzohet dhe me fillimin e pjesës së dytë, barazon shifrat në minutën e 47-të. Në fakt, fraksioni i dytë ishte shumë i vrullshëm, pasi të dy ekipet kërkuan fitoren.

Megjithatë, në pjesën e dytë, Sopoti mundohet më shumë për të kaluar në avantazh dhe është minuta e 80-të kur librazhdasit realizojnë golin e dytë dhe të fitores, por më pas vendasit kundërshtojnë ashpër, duke tensionuar situatën.

Në fund, Sopoti fiton ndeshjen, ndërsa edhe pas vërshëllimës së fundit, gjyqtari i takimit vendoset në shenjestër nga Veleçiku. Kontestimet vijojnë deri në momentin kur treshja e gjyqtarëve futet në dhomat e zhveshjes.

Ndërkohë, pas kësaj humbje, ekipi i Veleçikut lëshon kreun e renditjes, sepse tashmë është në vendin e katërt në klasifikim me 10-pikë pas kësaj humbje me Sopotin. /Maringlen ZHIVANI/

Veleçiku-Sopoti 1-2

Goli për Veleçikun: Hajdari (pen) 16’

Veleçiku (4-2-3-1): L. Kaçaj, Rrustemaj, Balaj, Shekaj, Banushaj, Zefi, Kaçeli, Elbasani, Hasaj, Hajdari, Dibra (u aktivizuan: Rragami, Marku, Mehmetaj) Tr: Dritan Smajli