Wednesday, April 29, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E DYTEJasmin Rraboshta: Suksesin me Besëlidhjen dua t'ia dedikoj familjes time

Jasmin Rraboshta: Suksesin me Besëlidhjen dua t’ia dedikoj familjes time

Besëlidhja u konfirmua si skuadra më e mirë e Kategorisë së Dytë, pasi triumfoi bindshëm ndaj Orikut në finalen që shërbeu si “superfinale” mes fituesve të dy grupeve, duke merituar titullin kampion dhe duke vulosur rikthimin në Kategorinë e Parë. Në këtë sukses të madh të klubit lezhjan, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe veterani Jasmin Raboshta.

Sulmuesi 35-vjeçar nga Shkodra ishte një nga shtyllat e skuadrës dhe në Durrës ngriti trofeun e tretë të rëndësishëm në karrierën e tij, duke konfirmuar edhe një herë vlerat dhe eksperiencën që ka sjellë në fushë. Historia e Raboshtës me trofetë nis shumë herët. Plot 20 vite më parë, në sezonin 2007-2008, kur ishte vetëm 16 vjeç, ai ngriti Kupën e Shqipërisë me Vllazninë, në hapat e parë të karrierës së tij. Më pas, sezonin e kaluar, festoi titullin e Kategorisë së Parë me Vorën, duke kontribuar në ngjitjen e skuadrës në Superiore. Tashmë, në fazën finale të karrierës, ai ka shtuar në palmares edhe trofeun me Besëlidhjen, duke qenë protagonist në rikthimin e lezhjanëve në një kategori më lart.

Pas triumfit në finale, Raboshta nuk e fshehu emocionin, duke e cilësuar këtë sukses si një moment të veçantë në karrierën e tij. “Ishte një sukses i dyfishtë me këtë skuadër dhe një arritje e madhe fitimi i titullit kampion, që ishte si qershia mbi tortë”, u shpreh fillimisht Raboshta për “Panorama Sport”. Më tej, ai theksoi se sezoni nuk ka qenë aspak i lehtë dhe se skuadra është dashur të luftojë fort në çdo transfertë për të mbërritur te objektivi.

“Të them të drejtën, të gjitha ndeshjet e kampionatit kanë qenë të vështira. Në çdo transfertë kemi hasur vështirësi për të marrë rezultat pozitiv. Ne ishim të bindur se do të ngjiteshim në Kategorinë e Parë, por dëshironim ta kurorëzonim sezonin edhe me titullin kampion. Gjatë gjithë vitit kemi pasur vazhdimësi dhe kjo fitore ishte shpërblimi më i bukur. Bashkëpunimi bashki-presidencë ishte promotori i këtij suksesi të Besëlidhjes”, deklaroi ai.

MERITA- Raboshta vlerësoi jo vetëm grupin e lojtarëve, por edhe bashkëpunimin mes drejtuesve të klubit dhe institucioneve vendore, si çelësin e këtij suksesi. “Merita është e përbashkët për të gjithë skuadrën, por në mënyrë të veçantë bashkëpunimi mes presidencës dhe bashkisë solli këtë moment historik, duke rikthyer futbollin lezhjan në Kategorinë e Parë, me synimin për t’u rikthyer edhe në elitë”, shtoi mesfushori.

Një nga momentet më të bukura të finales ishte padyshim supergoli i realizuar nga Raboshta, një gol që vulosi paraqitjen e tij të shkëlqyer. Për vetë lojtarin, megjithatë, kjo nuk ishte diçka e pazakontë, pasi sipas tij, ka realizuar shpesh gola të tillë. “Ishte një gol i mrekullueshëm dhe besoj se do të mbetet i paharruar sepse u shënua në një finale ku fituam trofeun. Por nuk është hera e parë që realizoj gola të tillë. Madje, është hera e shtatë që më ndodh dhe është diçka që e praktikoj shpesh edhe në stërvitje”, tha Raboshta.

DEDIKIMI- Në fund, veterani i Besëlidhjes bëri edhe një dedikim të ndjerë për familjen, skuadrën dhe tifozët, duke treguar anën emocionale të këtij triumfi. “Një dedikim të veçantë dua t’ia bëj familjes time, që më ka mbështetur dhe më ka kuptuar në mungesat e shumta gjatë ndeshjeve. Gjithashtu, ky sukses është për shokët e skuadrës që kanë qenë të jashtëzakonshëm gjatë gjithë sezonit. Falënderoj edhe të gjithë ata që mbështetën ekipin financiarisht, sepse pa ta ky objektiv nuk do të arrihej.

Ndërsa golin e kësaj finaleje ua dedikoj tifozëve lezhjanë, që kanë qenë të mrekullueshëm”, përfundoi Raboshta. Në moshën 35-vjeçare, Jasmin Raboshta vazhdon të jetë vendimtar dhe të lërë gjurmë, duke udhëhequr Besëlidhjen drejt një rikthimi të shumëpritur. Një histori suksesi, përvojë dhe lidershipi, që e bën veteranin shkodran një nga figurat më të rëndësishme të këtij sezoni në Kategorinë e Dytë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments