Ditën e nesërme do të luhen sfidat e para të turit të parë të Kupës së Shqipërisë në futboll. Pas kualifikimit në turin paraeliminator ndaj Klosit, Veleçiku do të ndeshet tashmë me kampionët dhe fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë, Skënderbeun.

Korçarët të mërkurën pasdite do të jenë në fushën sportive të kompleksit “Duli” në Koplik por kuptohet se janë favoritë për kalimin e turit.

Veleçiku nuk duket aspak i përqendruar tek kjo ndeshje sepse i duket sikur po lufton “me mullinjtë e erës”.

Stafi teknik e ka mendjen vetëm tek sfida e fundjavës për kampionat me Vorën që do ta luajë në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës.

Në javën e parë koplikasit u mundën nga Dinamo 1-0 dhe për këtë arsye, do të synojnë fitoren e parë në këtë përballje të dytë dhe mundësitë për ta bërë këtë gjë, i kanë.
© shkodrasport.com