Megjithëse duhet të fitojnë edhe ndeshjen e fundit në fushën e tyre ndaj Domosdovës për të siguruar përfundimisht ngjitjen në Kategorinë e Parë, Veleçiku i Koplikut e konsideron që tani veten pjesë e një kategorie më lart. Kanë dhjetë vjet që presin dhe në sfidën e fundit nuk e mendojnë kurrsesi dështimin. Madje, presidenti i skuadrës, Ramadan Likaj, ka organizuar edhe një drekë festive me futbollistët, stafin teknik dhe tifozët, me orkestër, këngë, valle dhe pije pa fund. Në Koplik kanë festuar si të çmendur dhe të gjithë tani presin sfidën e fundit, që do të luhet këtë të diel ndaj Domosdovës, për të siguruar zyrtarisht ngjitjen në Kategorinë e Parë. Lojtarët kanë kërcyer për shumë orë valle të ndryshme, në një kohë që kanë ngritur peshë disa herë edhe trajnerin Besnik Duli. Festa ka zgjatur disa orë, në një kohë që nuk kanë munguar batutat, ironitë dhe kujtimet e momenteve pikante të këtij sezoni.
Arritja Me ekipin e ndërtuar, Veleçiku tregoi që në fillim të sezonit se do të ishte një prej pretendenteve kryesore për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Koplikasit krijuan shkëputje ndaj kundërshtarëve që në javët e para dhe e ruajtën distancën për shumë ndeshje. Aktualisht skuadra është vetëm një pikë më shumë se vendi i dytë, që mbahet nga Olimpiku, por duke qenë se Veleçiku do ta luajë ndeshjen e fundit në fushën e vet ndaj Domosdovës, të gjithë janë të bindur se do fitojnë dhe se nuk do t’u prishet festa që kanë nisur që tani. Prej dhjetë vitesh ekipi ka për president Ramadan Likajn, ndërsa në stol drejtohet nga Besnik Duli.
Esat Ymeri