Kategoria e Dytë zhvillon ditën e sotme në orën 14:00 javën e tretë të saj. Ditën e sotme, zbret i gjithë Grupi A në fushën e blertë, ku në këtë grup janë tre ekipe të qarkut të Shkodrës.

Kështu, Ada do të udhëtojë drejt Vorës për t’u përballur me ekipin vendas, ku padyshim që edhe një pikë do të konsiderohej pozitive, duke marrë në konsideratë synimet që ka skuadra vorake. Ekipi velipojak, që drejtohet nga trajneri shkodran Altin Xhahysa, nuk ka arritur të marrë akoma asnjë pikë, duke pësuar dy humbje rradhazi në dy javët e para të kampionatit.

Ndërkohë, Veleçiku do të përballet kundër Bulqizës, në ndeshjen që do të luhet pasditën e sotme në impiantin sportiv të “Vëllezërit Duli” në Koplik dhe padyshim që, do të synojë të marrë fitoren e rradhës. Ekipi koplikas, që drejtohet nga trajneri lezhjan Dritan Smajli, në dy javët e para të kampionatit, ka marrë një fitore dhe një barazim në transfertë, duke siguruar katër pikë.

Nga ana tjetër, edhe Murlani do të masë forcat në Barbullush me skuadrën e Shënkollit. Ekipi murlanas, që drejtohet nga trajneri shkodran Vahedin Pepaj, nuk ka marrë asnjë pikë deri më tani dhe në ndeshjen e sotme ndaj Shënkollit, synimi i vetëm është fitorja, edhe pse dihet që i pret një ndeshje mjaft e vështirë.

Të gjitha ndeshjet e Grupit A në Kategorinë e Dytë do të luhen në orën 14:00 dhe padyshim që, opinioni sportiv shkodran pret me interes për të parë ndeshjet dhe rezultatet që do të prodhojnë në këtë javë të tretë pikërisht tre ekipet e qarkut të Shkodrës, Ada, Veleçiku dhe Murlani.
Maringlen ZHIVANI