Vëmendja e të gjithë Botës së sportit këtë muaj patjetër që është tek Botërori i futbollit. Kjo periudhë patjetër që i kushtohet e gjitha eventit sportiv më të madh në glob. Por ka edhe nga ata ekipe që ende luajnë dhe do përpiqen që të japin më të mirë nga vetja.
Një nga këto skuadra është Vllaznia e femrave në futboll. Vajzat shkodrane janë i vetmi ekip shqiptar që po luan momentalisht dhe jo në nivele të çfarëdoshme. Por në grupet e Champions League, ku për herë të parë merr pjesë një skuadër shqiptare. Ekipi i drejtuar nga Nikolin Leka zbret sot në fushë në Paris, në ndeshjen që do luhet në orën 18:45.
Kundërshtari nuk do jetë aspak komod pasi përballë do jetë skuadra e PSG. Një prej ekipeve më të mirë të femrave në Europë. Kjo është një eksperiencë për tu shijuar dhe rritur për vajzat shkodrane. Të cilat kanë luajtur edhe dy ndeshje e para të grupeve përballë ekipeve si: Real Madrid apo Chelsea, duke i humbur të dy duelet.
Rekordmenet e futbollit tonë do përpiqen edhe sonte me gjithë forcat e tyre, qoftë edhe për një paraqitje dinjitoze. Askush nuk i ka vënë në presion për rezultatet e sot me siguri do kenë edhe mbështetjen e tifozëve në Paris. Ashtu siç ndodhi edhe në Londër, komuniteti i shqiptarëve në kryeqytetin francez është organizuar për të përkrahur në maksimum vajzat kuqeblu.
Endri ÇINARI