Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ishte një tronditje e madhe për Vllazninë, që po shkon drejt një sezoni të dështuar, jo vetëm sa i përket mosarritjes së objektivit, por mbi të gjitha prej dëmit të madh financiar që mund të ketë klubi në rast mospjesëmarrje në Kupat e Europës.

Megjithatë, kur mbeten edhe katër javë për t’u luajtur, shpresat e kuqebluve për të kapur Europën nga kampionati janë të mëdha. Duke qenë se Tirana dhe Egnatia janë në treshen e parë dhe njëkohësisht do të diskutojnë mes tyre finalen e Kupës, vendi i katërt në kampionat futet më shumë se kurrë në lojë. Aktualisht ai mbahet nga Laçi me 44 pikë, ndërsa Vllaznia ka 43 dhe Teuta 42.

“Nëse klubi i shpallur kampion i Superiores fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë ekipi i renditur në vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës”, thotë rregullorja.

Në këto kushte, duke parë edhe klasifikimin, tashmë do të kemi një garë treshe deri në fund për një vend që mund të të dhurojë pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës. Ky shans i fundit do të kërkohet të shfrytëzohet në maksimum nga shkodranët për të shpëtuar sezonin 2022-2023.

SITUATA – Pas dy ditëve pushim, kuqeblutë do të nisin sot përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Teutës, e cila merr një rëndësi të madhe, për vetë renditjen që kanë skuadrat pas 32 javësh kampionat. Vllaznia i pret durrsakët të mërkurën në stadiumin “Loro Boriçi”, teksa ndeshja do të luhet në orën 15:00.

E sigurt është mungesa e dy mbrojtësve të djathtë, pikërisht kapitenit Erdenis Gurishta dhe Geralb Smajlit, të cilët e kanë mbyllur para kohe këtë sezon për shkak dëmtimesh. Nga ana tjetër, te mungesat llogaritet edhe Esat Mala, që prej kohësh ka nisur riaftësimin, por ende nuk është gati për të marrë minuta.

Që prej ardhjes në krye të pankinës së trajnerit maqedonas, Goce Sedloski, shkodranët kanë fituar vetëm një ndeshje kundër Erzenit në kampionat, ndërsa në gjashtë të tjera që janë luajtur mungon suksesi. Ajo që është vënë re më kanë qenë ndryshimet e shpeshta të formacionit, por edhe vendosje të lojtarëve në pozicione jonatyrale.

Sedloski nuk ka gjetur ende një formacion “tip” për të kthyer skuadrën te suksesi dhe së fundmi hall është bërë fakti se në repartin e mbrojtjes nuk ka një lojtar që mund të luajë në krahun e djathtë, edhe pse alternativë serioze në të shkuarën ka qenë gjithnjë mesfushori Arsid Kruja.