Marash Kumbulla vazhdon që të jetë larg fushave të lojës për shkak të dëmtimit që pësoi në fundin e sezonit të kaluar. Mbrojtësi shqiptar nuk është kthyer ende të stërvitet me skuadrën dhe pritet që vetëm pas tetorit të jetë në gjendje të japë kontributin e tij.

Por kjo nuk e ka penguar Zhoze Murinjon që të përfshijë edhe emrin e futbollistit shqiptar në listën që i është dorëzuar UEFA-s për fazën në grupe të Ligës së Europës.

Trajneri ka lënë në këtë listë si Kumbullën, ashtu edhe Abraham që është gjithashtu i dëmtuar, pasi ata në të vërtetë nuk prishnin punë në llogarinë që bëhej në klub për parametrat e UEFA-s që duhen respektuar sa i përket fair play financiar.

Mediat italiane kanë mësuar se jashtë listës janë lënë Azmun dhe Kristensen, dy lojtarë të afruar gjatë verës, të cilët janë sakrifikuar për fazën në grupe dhe vetëm nëse verdhekuqtë kalojnë më tej, mund të përfshihen kur të ribëhet lista në fillimin e vitit të ardhshëm.