NDESHJA: Dinamo fundoset akoma edhe më shumë. Blutë e kryeqytetit janë mposhtur edhe këtë javë nga Laçi me rezultatin 2-1. Vendasit pas disa rezultatesh jo të mira në kampionat, kanë gjetur me në fund 3 pikëshin.

Sfida nisi mirë për Laçin që shënoi golin e parë që në sekondën e 32-të me Guindo, ndërsa në pjesën e parë kanë edhe disa shanse për gol, por Simoni bën disa pritje vendimtare. Në fraksionin e dytë, Dinamo barazon sfidën me debutuesin 19-vjeçar, Fejzulla që gjuan saktë dhe gjen të papërgatitur Dajsinani.

Pas këtij goli të dyja skuadrat hidhen në sulm për të shënuar golin e fitores, por gabojnë para portierëve respektiv. Golin e fitores, Laçi do ta shënonte me penallti. Reginaldo pengon Shehu brenda zonës, ndësa gjyqtari Lata akordon penallti.

Nga 11-metrat, Zarubica nuk gabon dhe mposht Simonin dhe i jep 3 pikë Laçit që tani blindon vendin e dytë me 50 pikë. Dinamo fundoset akoma edhe më shumë dhe renditet në vendin e 9 me 23 pikë, 8 pikë më pak se Egnatia e vendit të 8-të.