Edicioni 2018-2019 i Serisë A do të ketë në librin e tij të rekordeve përgjithmonë edhe emrin e një futbollistit shqiptar. Nuk është një nga ata të zakonshmit që jemi mësuar të dëgjojmë shpesh në elitën e futbollit italian si Hysaj apo Gjimshiti, por djaloshi 17-vjeçar Angelo Ndrecka.

Adoleshenti i cili prej disa javësh stërvitej me ekipin e parë të Kievos, sot ka pasur mundësinë që të zbresë në fushën e lojës me ekipin e Kievos në ndeshjen kundër Spal, duke vendosur një rekord të ri për edicionin futbollistik. Ai ka lindur më 24 shtator 2001, ai është bërë zyrtarisht futbollisti më i ri në moshë që ka luajtur në këtë edicion në Serinë A.

Mbrojtësi i majtë zhvilloi një sfidë pozitive, edhe pse ekipi i tij u mund 4-0, pasi objektivi kryesor i klubit ishte që t’i jepte sa më shumë eksperiencë elementëve të tillë të perspektivës meqë tashmë ekipi është zyrtarisht i rënë nga kategoria. Një debutim i tillë ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane, ku shumë prej tyre kanë shkruar për djaloshin shqiptar, mes të cilave edhe “Sky Sport”.

Edhe vlerësimet për të, pavarësisht humbjes së thellë, kanë qenë pozitive. “Di Karlo i ka vënë nofkën ‘Mario Rui’ por problemet në fushë të Kievo Veronës nuk i japin mundësinë të shprehet. Por klubi bën gjithsesi mirë që u jep hapësirë të rinjve në këtë fazë të fillimit të sezonit”, shkruante “TMW” që e kishte vlerësuar me notën 5,5. /vipsport/