Marash Kumbulla është në listën e dëshirave të një pjese të madhe klubesh në mbarë Europën, por të favorizuara edhe nga dëshira e lojtarit, klubet e Serie A qëndrojnë në linjën e parë për të blerë shërbimet e 20-vjeçarit. Gjatë gjithë kësaj kohe është folur për Interin në avantazh ndaj klubeve të tjera.

Megjithatë, lëvizjet e fundit të Marotës në merkato duket se ia kanë zbehur Kumbullës e Veronës dëshirën për të bashkëpunuar me zikaltërit dhe një tjetër gjigant italian hyn në skenë. Lacio e Igli Tares nuk është dorëzuar asnjëherë për të marrë Kumbullën dhe tani duket se ka një mundësi thuajse perfekte për të arritur te talenti.

Marrëdhëniet e mira mes Tares dhe drejtuesve veronezë kanë sjellë frytet e veta dhe mediet italiane raportojnë se klubi verdheblu është gati të negociojë për një ndërrim, plus para, në mënyrë që Kumbulla të kalojë në “Olimpico”. Igli Tare në këtë operacion pritet të propozojë dy shqiptarë të tjerë.

Riza Durmishi dhe Valon Berisha nuk kanë mundur “të çajnë” mes yjeve të Lacios dhe janë huazuar drejt Francës e Gjermanisë. Në verë ata do të kthehen dhe njëri prej tyre pritet të kalojë te Verona, për t’i hapur rrugën Kumbullës për në kryeqytet. /vipsport/