Kombëtarja U-15 ka nisur që të hënën grumbullimin e planifikuar me 24 lojtarë të përzgjedhur të vitlindjes 2009, teksa kuqezinjtë janë grumbulluar në Durrës dhe kanë nisur përgatitjet. Atmosfera është shumë e mirë dhe e këtë konfirmojnë edhe vetë lojtarët e ftuar në këtë grumbullim, shumica e të cilëve ftohen për herë të parë.

Kombëtarja U-15 është edhe stacioni i parë për lojtarët që synojnë të bëhen pjesë e ekipeve Kombëtare dhe nga ku nis rrugëtimi për lojtarët e talentuar që duan të kenë një karrierë të rëndësishme me fanellën kuqezi.

Njëri prej tyre është pikërish sulmuesi që aktivizohet me moshat e Fiorentinës në Itali, Majkol Luka. Ka qenë gazeta “Shkodra Sport” e para që pat shkruar për të gushtin e vitit të kaluar, duke shprehur edhe dëshirën e tij për të veshur fanellën kuqezi të kombëtares shqiptare.

Majkol Luka, sulmuesi 13 vjeçar shkodran që luan për Fiorentinën, pret ftesën e kombëtares shqiptare

“Ndihem shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur që jam pjesë e Kombëtares U-15. Objektivi im personal është që të bëhem futbollist i skuadrës së parë të Fiorentinës në të ardhmen dhe kam shumë dëshirë të luaj me Kombëtaren e Shqipërisë. \

Jam shumë i lumtur kur më vjen ftesa dhe për këtë kam folur edhe me familjen. Dua të ndihmoj shumë ekipin tim dhe Kombëtaren gjithashtu. Idhulli im në futboll është Kristano Ronaldo”, – është shprehur Majkol Luka. Të dhënat e këtij lojtari duken shumë të mira dhe e ardhmja flet për të.

Majkol Luka është i datëlindjes 23 mars 2009, ka lindur në Itali, por prindërit e tij janë nga Shkodra dhe kanë injektuar gjithmonë tek djali i tyre dashurinë për Shqipërinë dhe kombëtaren e saj. Si rrjedhojë menjëherë sapo i ka ardhur ftesa e saj, ka thënë “po”.

Ai luan me ekipin U14 të Akademisë së Fiorentinës, është i gjatë 1.92 metra dhe vlerësohet shumë për talentin e tij. Kariera ka nisur në mënyrën e duhur për të dhe tashmë atij i duhet të punojë fort për të realizuar ëndërrat e tij.
Gjergj KOLA