Vllaznia në basketboll ka mundur ditën e djeshme Teutën me rezultatin 77-70. Shkodranët rikonfirmojnë edhe njëherë tjetër momentin e mirë, që po kalojnë në prag të nisjes së fazës së play-off.

Pas ndeshjes me Teutën, trajneri i Vllaznisë në basketboll, Damian Bekteshi ka folur për këtë takim, teksa u shpreh se ishte një fitore morali ndaj durrsakëve, ndërsa theksoi se padyshim që ndaj Tiranës, në ndeshjen e parë gjysëmfinale të play-off, do të tentojnë fitoren.

“Të them të drejtën, po ishte një fitore morale ndaj Teutës. Ishte një fitore që na vlen shumë për ecurinë e kampionatit. Ishte java e fundit e fazës së rregullt. Tani, ditën e mërkurë fillon play-off. Kjo ishte një fitore për t’i treguar gjithë ekipeve, sidomos Teutës që është ekipi kryesor i kampionatit, se ne mund t’i mundim në Shkodër dhe pse jo do synojmë titullin kampion.

Të them të drejtën, e kam thënë edhe në intervistat tjera, që e kam marrë ekipin, duke besuar te potenciali i tyre. Duke e ditur se çfarë lojtarësh kam në ekip, kjo është rezultat i punës së tyre dhe punës time bashkë, ku kemi arritur këto fitore.

Kemi luftuar me vendin e tretë dhe ia arritëm qëllimit, sepse vendi i dytë ishte shumë larg për ne, sepse kishim shumë humbje më përpara. Donim të ndesheshim me Tiranën në gjysëmfinale dhe ia arritëm. Tani, shpresojmë që të dalin me sukses.

As që bëhet fjalë, që testi i sotëm me Teutën, ishte shumë pozitiv. E patë edhe ju vetë, që djemtë luftuan sot dhe e merituan fitoren.

Kjo është e bukura e basketbollit, që nuk mbaron kurrë deri në sekondën e fundit. Si futbolli që, mund të bëjnë gol në sekondë të fundit, këtu koshat janë më të shpejtë. Ekipet janë më të lëvizshme. Kështu që, duhet të qëndrosh i fokusuar deri në fund të minutave.

Normalisht, ndikon që ndeshja e parë me Tiranën luhet në transfertë, sepse ata kanë faktorin e fushës, por me besim dhe vendosmëri, them që do ia arrijmë të dalim me sukses.

Për ndeshjen e parë, as që bëhet fjalë, që do futemi për fitore. E thashë, kam besim të plotë te djemtë dhe duke ditur që të gjithë grupi është bashkë dhe padyshim do shkojmë vetëm për fitore.

E thashë, kemi pasur shumë mangësira në stërvitje më përpara, por them që kemi punuar intensivisht këtë periudhë dhe duke nxjerrur pak grintën e këtyre lojtarëve, që kanë, i keni parë vetë rezultatet.

T’i marrim ndeshjet një e nga një. Kam qejf të mbarojmë ndeshjen e parë, pastaj flasim për ndeshjen e dytë dhe pastaj pse jo, duke marrë fitoren e parë ndaj Tiranës, normalisht tifozëria e Vllaznisë do afrohet me siguri”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë në basketboll, Damian Bekteshi.
Maringlen ZHIVANI